Pas një nevojë emergjente për ndërhyrje, më në fund Galeria Kombëtare e Arteve do t’i nënshtrohet rikonstruksionit. Ministria e Kulturës ka çelur tenderin ku fton të aplikojnë firma konsulente, të cilët duhet të dorëzojnë projektin e tyre deri më 20 gusht, ku shuma e vënë në dispozicion për rikonstruksionin e këtij institucioni është 12.5 mln lekë.

GKA është një institucion kombëtar qendror që ka për qëllim prezantimin, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore në fushën e arteve pamore. Që prej vitit 2007 gëzon statusin e monumentit të trashëgimisë kulturore.

Ajo hapi dyert në vitin 1946 me një sipërfaqe ekspozimi rreth 5.300 m², fillimisht si pinakoteke, për t’u hapur zyrtarisht si GKA 10 vite më vonë, në vitin 1956. Në të ruhen rreth 4.000 vepra arti të autorëve shqiptarë dhe të huaj, të cilat përfshijnë një periudhë të gjatë kohore që nga shekulli XIII e deri në ditët e sotme. Që prej vitit 1999 është hapur për publikun një bibliotekë e Galerisë, ku mund të shfrytëzohen albume, revista, kritikë letrare mbi artet figurative.

Në vitin 2009 GKA pësoi një ndërhyrje cilësore, por me sa duket të pamjaftueshme, pasi kushtet në të cilat ekspozohen veprat e artit nuk janë në parametrat e duhur. Në janarin e vitit 2017, ekspertë italianë vunë në dukje mungesën e theksuar të kushteve të ekspozimit në GKA, duke nisur që nga sistemi i lagështisë, temperatura në të cilën duhet të ekspozohen veprat, sistemi i munguar i kamerave e shumë mangësi të tjera.

Pas mbylljes së aplikimeve dhe shqyrtimit të tyre pas datës 20 gusht, do të shpallet edhe fituesi, i cili duhet të ekzekutojë projektin e tij të rikonstruksionit deri në 5 muaj pas lidhjes së kontratës.

Top Channel