Dy të plagosur në “Westminster”, Antiterrori po udhëheq hetimet

14/08/2018 12:11

Dy persona mbetën të lënduar, kur një automjet u përplas me barrierat e sigurisë jashtë godinës së Parlamentit britanik mëngjesin e kësaj të marte, por drejtuesi i saj u arrestua në vend, ndërsa hetimet mbi këtë aksident po i udhëheqin njësitë antiterrorizëm të policisë.

Asnjëri prej të plagosurve nuk besohet të ketë pësuar dëmtime serioze për jetën, ndërsa policia ka njoftuar se po përpiqet të mbledhë bashkë copëzat e mozaikut për të kuptuar se çfarë ndodhi.

“Mbetemi ende në kërkim të shkaqeve të këtij aksidenti, ndërsa Komanda e Antiterrorizmit po udhëheq hetimet mbi incidentin e ndodhur në Westminster”, njoftoi përmes “Twitter”-it Policia Metropolitane e Londrës.

Më herët, policia tha se drejtuesi mashkull i automjetit ishte arrestuar në vendngjarje, menjëherë pas aksidentit të ndodhur në orën 6:37 me atë lokale (7.37 me tonën).

Lexo edhe:
Makina përfundon në barrierat e “Westminster”-it

Një dëshmitar deklaroi se automjeti ishte përplasur me forcë me barrierat, në një korsi të përdorur për hyrjen në Parlament, e sipas tij veprimi ishte i qëllimshëm.

“Ishte një incident tejet serioz. Pamë tymë të dilte nga automjeti dhe dyshuam se mos kishte eksploziv brenda tij”, tha njëri prej dëshmitarëve për reporterët e pranishëm në vendin e ngjarjes.

Fotot e një gazetari të “Euronews” treguan disa policë që i kishin drejtuar armët e tyre drejt mjetit në fjalë. Më pas, një person doli prej saj dhe u shoqërua nën pranga nga forca të armatosura rëndë. Një disa foto të tjera u pa edhe një çiklist i shtrirë përtokë.

“Pashë çiklistët e plagosur. Pashë njerëz, rreth 10 të tillë, që ishin shtrirë në rrugë, por nuk vura re asnjë person të pajetë”, tha një tjetër dëshmitar.

Shërbimi i Urgjencës në Londër njoftoi se kishte trajtuar dy persona për plagë të pësuara në vendngjarje dhe më pas i kishte transportuar për në spital. Por, gjendja e tyre nuk besohet të jetë e rëndë.

Stacioni i metrosë në “Westminster”, shumë pranë Parlamentit, u mbyll menjëherë, ndërsa godina e legjislativit u rrethua nga një kordon policor. Parlamenti është ende i zbrazët, pasi shumica e ligjvënësve janë me pushime, sikurse edhe kryeministrja Theresa May.

Përmes “Twitter”-it reagoi edhe shefja e qeverisë britanike. “Mendimet e mia janë për të plagosurit në incidentin jashtë Parlamentit, falënderoj shërbimet e emergjencave për reagimin e menjëhershëm dhe kurajoz”, shkroi ajo.

Në mars të vitit të kaluar, Khalid Masood, 52 vjeç, vrau 4 persona pranë urës “Westminster” përpara se të qëllonte me thikë për vdekje edhe një oficer policie të paarmatosur brenda perimetrit të Parlamentit. Ai u qëllua për vdekje në vend. Ky ishte i pari nga një seri prej 5 sulmesh në Britani gjatë vitit të kaluar, të cilat u dyshuan për terrorizëm që të gjitha nga policia.

Top Channel