Veliaj:Në debatet tona nuk do prevalojnë bindjet politike, por çfarë qyteti do lëmë për fëmijët

13/08/2018 13:54

Nën moton “Tirana: Qytet për fëmijë, qytet për të gjithë”, Bashkia e Tiranës dhe grupi i studentëve nga Universiteti i Harvardit, prezantuan draftin e parë të strategjisë që synon përfshirjen e nevojave të fëmijëve 0-5 vjeç në të gjitha vendimmarrjet e institucioneve bashkiake të planifikimit dhe implementimit urban.

Duke falenderuar studentët nga Harvardi për punën e kryer, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se kryeqyteti merr mbrapsht një produkt të prekshëm, që do ta rrisë edhe më shumë reputacionin e Tiranës si një vend miqësor me fëmijët. “Një mirënjohje e veçantë për skuadrën nga Harvardi, të cilët së bashku me kolegët nga Tirana kanë pasur një sinergji fantastike në 6 javët e fundit dhe mezi pres që ta rrisim reputacionin tonë si një qytet miqësor me fëmijët”, tha Veliaj. Ai shtoi se sot kryeqyteti ka një plan strategjik për një qytet miqësor për fëmijët. “Po prodhojmë një ‘mini-kushtetutë’ të qytetit, për mënyrën sesi do të trajtojmë çështjen e fëmijëve dhe të miturve në qytetin tonë. Ndaj, besoj se është një evoluim edhe në mentalitet dhe jo vetëm evoluim në terren”, tha ai.

Ai solli në vëmendje shembujt e mëparshëm të disa prej projekteve të nisura në kryeqytet, të cilat hasën rezistencë, por sot janë ndër më të vlerësuarat. “Mbaj mend se si shumë punë ku jemi angazhuar kanë qenë punë të kontestueshme dhe pjesë e debateve të mëdha. Sot të gjithë krenohemi dhe themi: sa mirë sheshi ‘Skënderbej”, mori çmim, por të gjithë e mbajnë mend se në çfarë debatesh dhe në çfarë hullie shkoi një dekadë diskutimesh për sheshin “Skënderbej”, që përfundoi në 10 muaj investim. Koha që na u desh për të bërë Pazarin e Ri ishte 7 muaj. Koha që na u desh të bënim këndin e lodrave, të parin fare që hapi këtë debat dhe në fakt na solli në këtë diskutim sot ishte vetëm 100 ditë me 78 protesta”, nënvizoi Veliaj.

Ai renditi edhe disa nga nismat e suksesshme të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës gjatë këtyre tre viteve, si ndërtimi i çerdheve, kopshteve, shkollave apo i këndeve të lojërave. Veliaj tha se disa prej pronave të cilat aktualisht janë të pazhvilluara dhe të degraduara, do të jepen për zhvillim tek investitorët privatë duke marrë në këmbim ambiente që do të përdoren për shërbime publike si çerdhe, kopshte etj.

“Kemi marrë përsipër të fusim asetet e bashkisë, si çdo pronar tjetër toke në Tiranë, për të marrë mbrapsht koefiçientin që na takon nga një zhvillim të ri, në formën e një kopshti ose çerdheje të ardhshme. Në disa raste hapësira është aq e madhe sa mund ta konvertojmë edhe në një teatër të ri, por në disa raste mund të kemi vetëm 50-100 metra që përkthehen pastaj në 300-400 metra zhvillim. Kështu që, do të na duhet të shikojmë ku janë asetet ose ku janë tokat, nevojën për një çerdhe ose një kopsht shtesë, duke shkëmbyer ato pak metra që bashkia mund të ketë në një territor që mund të zhvillohet dhe pastaj për t’i marrë në natyrë në formën e një kopshti apo çerdhe”, tha Veliaj.

Një nga projektet e suksesshme të Bashkisë së Tiranës që pritet të vijojë është edhe ai i ndërtimit të shkollave të reja, ndërkohë që puna do të ecë paralelisht edhe për krijimin e gjithë infrastrukturës mbështetëse të nevojshme. “Një nga gjërat që na ka entuziazmuar të gjithëve është projekti ynë për shkollat e reja. Hapja e shkollave të reja duhet të shoqërohet me ekosistemin e kryqëzimeve, sinjalistikës, këndit të lodrave, por edhe me një komunitet që e përqafon, jo vetëm si godinë ku ‘parkojnë’ fëmijët për disa orë, por si hapësira zhvillimi dhe hapësira kreative”, nënvizoi Veliaj.

Duke pasur në qendër të politikave të saj fëmijët dhe të rinjtë, Bashkia e Tiranës do të transformojë edhe Piramidën në qendrën më të madhe multifunksionale, e fokusuar kryesisht në arsimimin digjital, por dhe të artit e kulturës. Ndërkohë, në këto ditë të nxehta vere, fëmijët që vijnë nga familjet në nevojë argëtohen në Kampet Verore të ngritura nga Bashkia e Tiranës.

Top Channel