Agjencia Hapësinore e Shteteve të bashkuara të Amerikës, NASA ka nisur misionin e saj për të dërguar një satelit pranë diellit.

Raketa “Parker Solar Probe” u ngrit në qiell sot nga Cape Canareval, në Florida dhe synon të shkojë më pranë diellit, se çdo satelit që është lëshuar deri tani në hapësirë.

Lëshimi i “Parker Solar Probe” dështoi dje, pas një alarmi të momenteve të fundit, por gjithçka shkoi me sukses gjatë ditës së sotme.

Sateliti i nisur ka për qëllim të futet në koronën diellore dhe premton të hedhë dritë mbi misteret e mëdha të sjelljes së Diellit.

“Parker Solar Probe” pritet të mbërrijë rreth 6.12 milionë kilometra pranë diellit, ndërsa sateliti më i afërt ka shkuar rreth 43 milionë kilometra pranë dhe është lëshuar në 1976-ën.

Raketa është ndërtuar për të duruar një temperaturë deri në 1300 gradë celcius dhe do të udhëtojë me një shpejtësi prej 190 kilometrash në sekondë.

Top Channel