Amatorët e boksit ende kanë në mendje serinë e filmave ikonë me protagonist Rocky Balboan, një personazh i luajtur me mjeshtëri nga Silvester Stalone, që ringrihej gjithmonë e më i fortë pas grushteve të panumërta.

Produksioni i njohur “Hollywood”-ian, këtë herë është risjellë në vëmendje në futbollin anglez, me ironinë dhe batuta e dy trajnerëve që synojnë titullin.

“Jemi ende Rocky Balboa dhe jo Ivan Drago. Kjo duhet të jetë beteja jonë, duhet të jemi si Rocky”, tha Jurgen Klopp, trajner i Liverpoolit.

I ulur para kamerave, trajneri i Liverpoolit Jurgen Klopp, kur u pyet nëse do ta reduktonte distancën 25-pikëshe që kishte me Cityn sezonin e kaluar tha se, fushata do të kthehej në një ndeshje boksi të peshave të rënda.

Për ata që kanë nevojë për rifreskimin e kujtesës, Ivan Drago ishte një boksier në rol që kishte teknologjinë më të fundit dhe të gjithë Federatën Ruse në mbështetje të dominimit. Referenca është e qartë edhe për Manchester Cityn, me miliona në dispozicion dhe lojtarët më të mirë.

“E falënderoj trajnerin Klopp, pasi kam 9 vite që jetoj me këtë situatë pa asnjë problem. Kur zbarkova te Barcelona kishte njerëz që nuk e dinin që isha trajner, pasi e cilësonin veten gjithmonë favoritë, por s’ka asnjë problem”, tha Pep Guardiola, trajner i Manchester Cityt.

Skuadra e katalanasit, Manchester City luan të dielën në fushën e Arsenalit, në ndeshjen e parë të kampionatit, ndërsa Liverpooli impenjohet po të dielën në “Anfield Road” kundër West Hamit.

Top Channel