Viti i Skënderbeut, restaurohet Muzeu i Kastriotëve në Sinë të Dibrës

10/08/2018 09:41

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut është restauruar muzeu i Kastriotëve në Sinë të Dibrës.

Ka qenë vetë kryeministri Rama që ka postuar në urimin e mëngjesit pamje nga muzeu i restauruar. “MIRËMËNGJES, dhe me këto pamje nga muzeu i Kastriotëve në Sinë të Dibrës, i rilindur tërësisht për herë të parë pas 27 vjetësh harrese, ju uroj një ditë të mbarë “, shkruan Rama.

Sipas ATSH-së, projekti i hartuar nga specialistët e IMK-së realizoi restaurimin e plotë të objektit, riorganizimin e sistemit të ndriçimit dhe instalimeve elektrike, si dhe sistemimin e territorit përreth godinës.

Gjithashtu, pjesë e rëndësishme e projektit ishte edhe muzealizimi. Janë restauruar dhe ambientet e ekspozimit, si dhe janë riorganizuar tabelat e ekspozimit, në cilësi, dimensione dhe formë.

Restaurimi i muzeut konsistoi dhe në hidroizolimin e tarracës, prishjen e degradimeve, pastrime, lyerje dhe riorganizim e ndriçimit.

Muzeu ka filluar të ndërtohet në vitin 1982 dhe për herë të parë është hapur për publikun në vitin 1985.

Top Channel