Sanksionet e SHBA për “Novichok”-un, Rusia: Teatri i absurdit vijon!

09/08/2018 20:24

Zyrtarë rusë kanë reaguar me zemërim të thellë, ndërsa tregjet janë lëkundur mëngjesin e së enjtes, pas njoftimit të një dite më parë për sanksione të reja të ashpra nga ana e Shteteve të Bashkuara përkundrejt Rusisë, për shkak të përdorimit të pretenduar të një agjenti nervor në sulmin e ndodhur në Salisbury të Anglisë.

Zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin, Dmitry Peskov tha se sanksionet ishin “absolutisht të paligjshme dhe aspak në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, ndërkohë që politikanë të tjerë u zotuan të kundërpërgjigjeshin me kundërmasa, të cilat do të përfshijnë edhe kufizime të eksporteve të raketave apo lëndëve të para për prodhim.

“Ky teatër absurditeti po vazhdon”, shkroi në “Twitter” Dmitry Polyanskiy, zëvendëspërfaqësuesi i parë i përhershëm i Rusisë në Kombet e Bashkuara. “Asnjë dëshmi, asnjë gjurmë, asnjë logjikë, asnjë supozim pafajësie, thjesht ‘me shumë gjasë’. Këtu kemi të bëjmë me vetëm një rregull: Fajëso Rusinë për gjithçka, pavarësisht sesa absurd apo i rremë mund të jetë pretendimi. Na lejoni të mirëpresim Sanksionet e Bashkuara të Amerikës!”. (Shënim: deformim i emrit Shtetet e Bashkuara të Amerikës).

Një tjetër deputet rus i quajti Shtetet e Bashkuara si një “shtet policor”. Ndërkohë, anëtari i Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë në Dumën ruse, Leonid Slutsky tha se Rusia mundet të bllokojë eksportet e motorëve raketorë “RD-180” drejt Shteteve të Bashkuara, si një kundërmasë e mundshme, sipas asaj që raportohet nga agjencia shtetërore e lajmeve “RIA Novosti”.

Shtetet e Bashkuara njoftuan të mërkurën se do të vendosnin kufizime të eksporteve të teknologjisë me shumë ndikim drejt Rusisë, për shkak se ajo ka përdorur një agjent nervor në përpjekjen për të vrarë ish-spiunin rus dhe vajzën e tij, Sergei Skripal dhe Yulia Skripal, në Britani.

Lexo edhe:
SHBA, sanksione Moskës për sulmin me “Novichok”

Departamenti amerikan i Shtetit tha se sanksionet e reja do të hynin në fuqi më 22 gusht dhe mund të ndiqeshin më pas nga disa masa edhe më shtrënguese, si pezullimi i marrëdhënieve diplomatike apo revokimi i të drejtave të uljes së avionëve të linjave ajrore ruse, nëse Rusia nuk ndërmerr veprime “korrigjuese” brenda 90 ditësh.

Top Channel