Reali prezanton Courtois. Perez mban me “forcë” Modriçin

09/08/2018 17:34

Florentino Perez nuk preferoi të marrë asnjë nga qindra pyetjet që kishin përgatitur gazetarët në konferencën e fundit për shtyp, por në ditën e prezantimit të Thibaut Courtois, mesazhi i presidentit të Realit të Madridit ishte i qartë.

“Galaktikët” i duan kampionët e tyre dhe nuk dëshirojnë t’i largojnë, një referencë e qartë se, pas arratisjes surprizë të Ronaldos nuk do të ndodhë e njëjta gjë me Luka Modriç.

“Kemi një skuadër të fortë dhe synojmë të vazhdojmë me këta futbollistë. Historia e Santiago Bernabeut meriton më të fortët në botë dhe ne duhet të sforcohemi, pasi ky është identiteti ynë që do të përçohet edhe nga të rinjtë. Pasioni i tyre është vendimtar për të shkruar historinë”, tha Florentino Perez, president i Realit.

Përballë kërkesave për të mësuar të ardhmen e Luka Modriçit, Reali i Madridit futi edhe kroatin në listën e lojtarëve për Superkupën e Europës. Ndeshja në fjalë prezanton trofeun e parë sezonal, mbrëmjen e 15 gushtit në “Le Coq Arena” të Talinit, ku si për ironi të fatit blerja e re Courtois do të debutojë ndaj ish-ekipit të tij.

Top Channel