Federata e Atletikës mbështet Smajlajn: E penalizuan në mënyrë të turpshme

09/08/2018 16:05

Në foto është momenti që shkaktoi zemërim në delegacionin shqiptar të atletikës gjatë garimit të Izmir Smajlajt në kërcimin së gjati në Evropianin që po zhvillohet në Berlin.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergj Ruli në një prononcim për Top Channel shprehu indinjatën e tij për manipulimin që iu bë rezultatit të 25-vjecarit, rezultat që e la jashtë luftës për medalje.

“Do t’ua dokumentoj të gjithë mediave shqiptare se çfarë ka ndodhur me të vërtetë me rezultatin e Izmirit. Në kërcimin e tretë, ka kërcyer në kufirin e 8 metrave dhe duhet të ishte në mënyrë absolute finalist. Fillimisht u dha nëj rezultat më i dobët dhe më pas e korrigjuan, por sërish nuk na dhanë hakun”, tregoi Ruli.

Ruli deklaroi gjithashtu se e gjithë kjo ishte një turp i madh dhe se gjyqtarët e garës u munduan ta mbulonin, duke deklaruar se ka pasur ankesa edhe nga Federata të tjera.

“Për të mos marrë përsipër gjyqtaria turpin apo gabimin, tha se ka ankesë nga Suedia, Polonia, Ukraina dhe Shqipëria. Unë do ta quaja një turp, që atletit tonë iu hoqën pretendimet për medalje”, deklaroi Ruli.

Në fund presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës deklaroi se Smajlaj do të marrë pjesë në evenimentin e përvitshëm që zhvillohet në nder të rekordmenit evropian të kërcimit të gjati, Robert Emmiyan, ku shkodrani do të kërkojë të vëjë nderin në vend për padrejtësite që iu bënë në këtë evropian.

Top Channel