“Elita 5”, tri dekadat në skenë do t’i festojë me një koncert në Tiranë

09/08/2018 13:05

Një “tornado” e ka quajtur kryebashkiaku i Tiranës ardhjen e tyre në Tiranë, mbrëmjen e 7 shtatorit. Por, nuk bëhet fjalë për një tornado të vërtetë.

Ata janë 5 pjesëtarët e grupit aq të famshëm nga Tetova, “Elita 5”, krijuar në vitin 1978, e që këtë vit mbushin plot 30 vite karrierë.

Tri dekada krijimtari, banda e rokerëve ka vendosur t’i festojë në Tiranë, përmes një koncerti madhështor në Amfiteatrin e Liqenit, një ngjarje e rëndësishme, të cilën kanë vendosur ta kremtojnë pikërisht në Tiranë, ku do të këndojnë për publikun shqiptar këngët e tyre më të mira ndër vite.

Në 30 vite karrierë, “Elita 5” numëron më shumë se 120 këngë, ku “Al Capone”, “Nuk jam unë diktator”, “Fol, vetëm fol” janë vetëm disa nga hitet më të njohura, të cilat do të këndohen në Amfiteatrin e Tiranës për gati dy orë.

Krahas 30-vjetorit të krijimit, “Elita 5” ka edhe një arsye tjetër për të festuar: lançimin e albumit të ri, duke e çuar në 8 totalin e albumeve të këtij grupi. Këto dy ngjarje të rëndësishme do të sjellin në Tiranë bandën shqiptare nga Maqedonia, në datën 7 shtator, ora 20:00, në një koncert “live” në Amfiteatrin e Liqenit.

Top Channel