SHBA, thirrje Kosovës e Serbisë: Marrëveshje të qëndrueshme, shmangni retorikën

08/08/2018 10:43

Departamenti amerikan i Shtetit u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin retorikën negative dhe të punojnë së bashku për një marrëveshje që siguron qëndrueshmëri për të dyja vendet dhe rajonin.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i tha “Zërit të Amerikës” se, “politika e kësaj administrate është e qëndrueshme: thelbi i çdo marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të vijë nga vet palët”.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim të dyja palët dhe Bashkimin Europian si ndërmjetësues. Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje, që është e zbatueshme, e qëndrueshme dhe nuk krijon paqëndrueshmëri në asnjërin vend, apo në rajon. Kjo do të kërkojë largpamësi dhe elasticitet nga të dyja anët. Ne inkurajojmë palët që të marrin përgjegjësinë e plotë të procesit, të ulin retorikën negative dhe të punojnë së bashku në mënyrë konstruktive”, thotë zëdhënësi.

Një ditë më parë reagoi edhe Ambasada ruse në Tiranë, pas zërave që e lidhnin presidentin Vladimir Putin me skenarin e shkëmbimit të territoreve. Sipas saj, ky është një dezinformim absolut dhe në të nuk ka asgjë të vërtetë.

“Çështjet që lidhen me statusin e Kosovës duhet të zgjidhen me ndihmën e Rezolutës 1244 të OKB-së dhe Rusia nuk do të veprojë asnjëherë pas shpinës së palëve”, thuhet në reagimin e Ambasadës.

Edhe vet kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të martën tha se ndryshimi i kufijve i intereson vetëm Vladimir Putinit, por – sipas tij, – Kosova nuk është pjesë e hartës së tij. Ajo i takon një bote tjetër, që udhëhiqet nga Amerika.

Top Channel