Sanksionet mbi Iranin, SHBA u frikësohet sulmeve kibernetike

08/08/2018 17:03

Ekspertë të kundërzbulimit dhe sigurisë kibernetike thonë se, Shtetet e Bashkuara janë duke u përgatitur për sulme kibernetike nga Irani, si shenjë hakmarrjeje për vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për rivendosje të sanksioneve.

Shqetësimet për kërcënim kibernetik janë rritur nga muaji maj, kur Trump është tërhequr nga pakti bërthamor i vitit 2015, i cili parashikonte heqjen e sanksioneve mbi Iranin në këmbim të reduktimit të aktivitetit bërthamor.

Sipas ekspertëve, ky kërcënim rritet, pas vendimit të Uashingtonit për të rivendosur sanksionet ekonomike ndaj Teheranit.

Agjencitë amerikane të kundërzbulimit e kanë cilësuar Iranin si një nga kërcënimet kryesore të huaja me të cilat përballet Amerika, duke përmendur edhe Rusinë, Kinën dhe Korenë e Veriut.

Një valë e sulmeve, për të cilën autoritetet amerikane kanë fajësuar Iranin në periudhën 2012-2014, ka shënjestruar banka dhe ka shkaktuar dëme në vlera miliona dollarëshe.

Irani kundërshton përdorimin e kapaciteteve kiberbetike për qëllime të dëmshme dhe akuzon SHBA-të se ka për objektiv Iranin. Administrata “Trump” ka thënë se rivendosja e sanksioneve në Iran synon të ndalojë agresionin e këtij të fundit, duke kundërshtuar fondet për financim të terrorizmit, programit të raketave dhe dërgimin e forcave në konfliktet në Jemen dhe Siri.

Sanksionet amerikane kanë nisur së zbatuari më 7 gusht, duke i ndaluar Iranit qasjen në dollarin amerikan dhe duke prekur sektorin e automjeteve, blerjen e metaleve dhe aeroplanëve, duke përfshirë arin.

Vala e dytë e sanksioneve amerikane pritet të godasë sektorin e naftës iraniane dhe atë bankar në nëntor të këtij viti.

Top Channel