Kina ndalon filmin e ri të “Winnie the Pooh” për një arsye komike

08/08/2018 17:01

Qeveria e Tajvanit ka thumbuar Pekinin, pas zërave se një film i ri i “Winnie the Pooh” është ndaluar në vend, për shkak të krahasimit dhe ngjashmërisë mes arushit të verdhë dhe presidentit kinez, Xi Jinping.

Në llogarinë e saj zyrtare në “Twitter”, Ministria e Jashtme e Tajvanit postoi imazhin e maskotës së tyre të turizmit, arushit “Oh”, që thotë se ishte i trishtuar që filmi i kushëririt të tij “Winnie” ishte ndaluar nga autoritetet kineze.

“Mos bëni gabime, të gjithë arushët janë të barabartë në Tajvan dhe Kristofer Robin po shfaqet në të gjithë vendin”, njoftonte Ministria.

Filmi i ri i “Disney”-t flet për një Kristofer Robin të rritur, që ribashkohet me miqtë e vjetër nga pylli i 100 hektarëve, përfshirë “Winnie the Pooh” dhe derrkucin.

Por, kinezët mund të mos kenë mundësi ta shohin filmin, pas raporteve se ai nuk ishte miratuar nga zyrtarët e propagandës së Partisë Komuniste kineze për t’u lejuar nëpër kinema.

Mbi çështjen nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar, por shumë medie kanë sugjeruar se mund të ketë një lidhje mes vendimit për të mos e lejuar filmin dhe raprezaljes së qeverisë kineze mbi imazhet e “Winnie the Pooh”.

Përdoruesit e internetit në Kinë e kanë lidhur shpesh “Winnie the Pooh” me Xi Jinpingun, duke pretenduar se ka një ngjashmëri të pagabueshme mes tyre, e duke shkaktuar kështu zemërimin e censuruesve kinezë.

Top Channel