Kammenos sulmon Erdoganin: Urdhëroi arrestimin e dy ushtarëve grekë

08/08/2018 17:57

Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos, duke folur në një emision radiofonik ka akuzuar presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, si organizator të rrëmbimit të dy ushtarakëve grekë që mbahen ende në burgun e Edirnesë, pas arrestimit të tyre në fillim të marsit disa metra brenda kufirit turk.

“Ishte një urdhër i Erdoganit ndaj Forcave të Armatosura turke, të organizojnë një kurth të tillë për të rrëmbyer dy ushtarakët grekë, në mënyrë që Turqia t’i përdorte ata për shkëmbimin me 8 ushtarakët turq të arratisur gjatë grushtit të dështuar të shtetit në Greqi me helikopter, të cilët Ankaraja i quan gylenistë”, ka thënë ai.

Κammenos ka deklaruar gjithashtu se burgimi i tyre është i paligjshëm, se nuk u është dhënë asnjë akuzë deri tani dhe se kjo çështje nuk i përket vetëm Greqisë dhe Turqisë, por edhe NATO-s dhe BE-së, të cilat mbajnë përgjegjësi kur lejojnë një vend anëtar të Aleancës euroatlantike të burgosë ushtarakët e një vendi tjetër anëtar.

Kammenos ka bërë edhe në të kaluarën deklarata të ashpra kundër Turqisë, ndërsa e ka quajtur presidentin Erdogan të çmendur dhe ka shkaktuar reagime të forta të Ankarasë.

Midis çështjeve të tjera në intervistën radiofonike, ministri grek, i cili është njëkohësisht kreu i partisë së vogël “Grekët e Pavarur”, aleate në kabinetin “Tsipras”, ka theksuar se do të votojë kundër marrëveshjes së Prespës për emrin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, nëse vjen për miratim në Parlament, edhe sikur kjo të sjellë rrëzimin e kësaj qeverie dhe zgjedhje të parakohshme.

Top Channel