Deputeti i PD-së: Qeveria vjedh shqiptarët, asnjë “PPP” me perëndimorë

07/08/2018 12:34

Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Shehaj doli sot në një konferencë për shtyp nga selia blu, i shoqëruar edhe nga drejtuesja e Departamentit Antikorrupsion pranë kësaj partie, Lealba Pelinku.

Në fjalën e tij, Shehaj komentoi raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke theksuar se qeveria Rama i ka vjedhur rreth 5000 euro çdo familjeje shqiptare.

“Sipas KLSH-së, abuzimi me buxhetin, i qeverisë Rama është plot 3.7 milionë euro. Nëse kemi parasysh që në Shqipëri janë rreth 800 mijë familje, llogaritet që kjo qeveri i ka vjedhur rreth 5000 euro çdo familjeje shqiptare. Kjo vjedhje nuk është vetëm kriminale, por edhe çnjerëzore, pasi i bëhet familjeve të popullit më të varfër në Europë”, tha Shehaj.

Deputeti i Partisë Demokratike kritikoi edhe njëherë skemat e Partneritetit Publik-Privat, të cilat i cilësoi si korruptive dhe me synimin e vetëm për të zhvatur popullin.

“PPP-të e qeverisë i kritikoi me diplomaci edhe Departamenti Amerikan i Shtetit, ndërsa ministri Ahmetaj u mbrojt duke thënë se këtë formë nuk e ka shpikur qeveria Rama. Është njësoj se pasi të të zënë duke vjedhur, të thuash se thesin nuk e shpika unë. Vlen të përmendet se nga mbi 200 partneritete që ka realizuar qeveria Rama, asnjë nuk është me investitorë seriozë perëndimorë, por vetëm me oligarkët pranë qeverisë, që pranojnë të bëhen partner biznesi me Ramën”, tha Shehaj.

Top Channel