Shumë debate janë ndezur në Kosovë këto javët e fundit, mbi tezën e hedhur nga presidenti Hashim Thaçi, për korrigjim kufijsh dhe bashkim me Kosovën të Luginës së Preshevës.

Reagimet dhe kundër-reagimet kanë qenë të përditshme, me vetë Thaçin që në mënyrë të përsëritur ka folur për propozimin e tij dhe ka sqaruar detajet. Në një postim në “Twitter”, të hënën, Thaçi edhe një herë ka përsëritur se propozimi i tij për zgjidhje paqësore me Serbinë është i qartë. “Propozimi im për zgjidhje paqësore me Serbinë është i qartë: jo ndarje në baza etnike, mirëpo po për korrigjimin e kufirit dhe njohjen reciproke”, ka shkruar ai.

Por, në anën tjetër, kryetari i kuvendit të Kosovës, njëherësh edhe lider i partisë demokratike të vetë Thaçit, Kadri Veseli, ka thënë se Kosova do të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara me kufijtë e saj të pavarësisë.

Duke folur mbi dialogun Kosovë-Serbi dhe mundësinë e ndarjes së Kosovës, Veseli tha se situata e krijuar ka ardhur si pasojë e mungesës së veprimit institucional, që prodhon konsensus e vendimmarrje shtetërore.

“Vendimet e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës janë të qarta. Në asnjë rrethanë, ndarja e Kosovës nuk do të jetë temë e Dialogut. Kosova do të shkojë në Dialog, në mënyrë që finalja e tij ta prodhojë një marrëveshje ndërkombëtarisht obligative – e cila sjell njohjen e Kosovës, vendin në OKB dhe përshpejtimin e rrugës së integrimeve euro-atlantike. Kjo është agjendë e jona e përbashkët, me SHBA-në dhe BE-në. Nuk do të ketë ndarje të Kosovës. As nuk do të diskutohet kjo çështje”, ka thënë Veseli në një shkrim autorial të botuar në Koha Ditore.

Sipas tij, ndarja e Kosovës është një nga pretendimet e vjetra të Serbisë, të cilat kanë marrë fund një herë e përgjithmonë në vitin 1999. Sipas Veselit, debati publik i ditëve të fundit ka dalë jashtë kornizave të një debati që i ndihmon publikut, institucioneve dhe avancimit të proceseve të shtetit dhe po krijon një klimë të panevojshme tensione, frike dhe pasigurie tek qytetarët.

Top Channel