Parashikimi i S&P për Shqipërinë: Rritja ekonomike këtë vit, 4%

06/08/2018 11:56

Standard and Purs, gjiganti ndërkombëtar i financave parashikon se ekonomia shqiptare do të rritet me 4 për qind këtë vit duke dhënë një vlerësim më optimist së Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe banka botërore.

Në raportin për vlerësimin e financave të Shqipërisë, Standard And Purs parashikon se zgjerimi i konsumit dhe investimeve private do të kontribuojnë në një rritje më të shpejtë ekonomike se sa vitin e kaluar, kur prodhimi i brendshëm u rrit me 3.8 për qind.

Sipas, agjencisë ndërkombëtare të rankimit, rritja ekonomike pritet të qëndrojë rreth nivelit 4 për qind edhe për tre vitet e ardhshme, e mbështetur nga kërkesa e brendshme, por edhe investimet e huaja.

Standard and Purs parashikon se kjo ecuri e ekonomisë e shoqëruar me politikën e konsolidimit fiskal pritet ta mbajë borxhin publik të Shqipërisë në trajektore rënëse.

“Ne presim që konsolidimi fiskal më i fortë të ulë borxhin publik në 62.5 për qind e prodhimit kombëtar brenda vitit 2012.

Gjigandi amerikan i rankimit konfirmoi vlerësimin B+ me perspektivë të qëndrueshme për borxhin e Shqipërisë. Por tha se nota për borxhin e Shqipërisë mund të përmirësohet nëse rritja ekonomike do të vazhdojë të qëndrojë e lartë për një periudhë të gjatë dhe qeveria do të ulë informalitetin e lartë në ekonomi.

Po kështu sipas Standard and Purs dy faktorë të tjerë që mund të përmirësojnë notën për financat publike të Shqipërisë janë fushata e deurozimit që po ndjek Banka e Shqipërisë si dhe një politikë më e fortë konsoliduese nga ana e qeverisë.

Por në krahun tjetër, faktorët që shihen si rrezik për për financat e vendit janë rritja e dobët e kredisë, devijimi i qeverisë nga politika e konsolidimit fiskal ose detyrimet që mund të lindin nga projektet koncesionare.

Megjithatë skenari bazë i Standard and Purs parashikon se rritja ekonomike e Shqipërisë do të vijojë të mbetet e fortë dhe qeveria nuk do të devijojë nga politika e uljes së borxhit, çka sipas gjigantit amerikan do të vazhdojë të lehtësojë borxhin publik.

Top Channel