Interi i “dashuruar” me kroatët, Kovaçiç kërkon rikthimin në Milano

06/08/2018 22:28

Dashuria kroate për Interin sa vjen e bëhet edhe më e fortë dhe këtë e tregon edhe orientimi i zikaltërve në këtë sezon merkatoje.

Kështu përveç Perisiç e Brozoviç, që luajnë prej kohësh në Milano, në fund të korrikut u vesh zikaltër edhe mbrojtësi i djathtë i nënkampionëve të botës, Sime Vrsaljko.

Gjithsesi prej ditësh përflitet për një negociatë të nisur tashmë mes Luca Modriç dhe Interit, që do të përbënte një nga goditjet më të mëdha të historisë së merkatos zikaltër.

E ndërkohë që tifozët presin e ëndërrojnë për Modriç, emri i një tjetër kroati ka dalë në skenë në orët e fundit. Bëhet fjalë për një ish futbollist të Interit, i cili aktualisht luan gjithashtu për Realin e Madridit.

Bëhet fjalë për Mateo Kovaçiç, i cili ka përsëritur dëshirën për t’u larguar nga Madridi dhe ka refuzuar të dalë në stërvitje, nën urdhrat e trajnerit Lopetegui, pasditen e sotme.

Kroati kërkon largimin nga spanjollët, sepse kërkon më shumë hapësira dhe sipas raportimeve të gazetës “AS”, u ka kërkuar drejtuesve që të hyjnë në negociata me Interin.

Merkatoja e futbollit ka hyrë në ditët e fundit të saj, ato më të “zjarrtat”, ndërsa Florentno Perezit i duhet të përballet me dëshirën për largim të dy mesfushorëve kroatë.

Top Channel