Lëvizjet e lojtarëve dhe trajnerëve në kampionatin shqiptar

04/08/2018 15:21

Në të gjithë Evropën klubet kanë filluar prej javësh lëvizjet e tyre në merkaton e transferimeve dhe Katgoria Superiore në Shqipëri nuk përbën asnjë përjashtim.

Një lëvizje që kanë tërhequr vëmendjen është ajo e kalimit të portierit Enea Koliçi nga Kukësi për t’u vënë në dispozicion të trajnerit Ilir Daja te Flamurtari. Një tjetër blerje e klubit vlonjat është edhe ajo e Agustin Torrasës që dikur ka qenë pjesë e Partizanit, ndërkohë që Franc Veliu ka rinovuar kontratën e tij edhe për sezonin 2018/2019.

Skënderbeu ka marrë përfundimisht në radhët e tij Dejvi Bregun, i cili në dy fazat e mbetura të sezonit 2017/2018 ishte lënë në huazim të skuadra e Luftëtari. Dejvi Bregu në fakt e kishte firmosur kontratën e tij me kampionët e Shqipërisë që në muajin janar, kontratë që do ta mbajë atë të lidhur me klubin korçar deri në vitin 2021.

Ndërsa gjatë kësaj vere, Skënderbeu ka mundur të vërë në dispozicionin e trajnerit Orges Shehi, futbollistin e pëfaqësueses U-21 të Kosovës, Almir Ajzeraj. Lëvizje në merkato kanë bërë edhe skuadrat e kryeqytetit, Tirana dhe Partizani. Gjatë javëve të fundit, bardheblutë janë përforcuar me Sedat Berishën që më parë ka qenë në radhët e Vllaznisë, Shkupit dhe Shkëndijës së Tetovës.

Tjetër përforcim i Tiranës është edhe ganezi Winful Cobbina që ka nënshkruar një kontratë 3-vjeçare me Tiranën. Ndërsa Partizani në fund të muajit korrik mori në formë huazimi me të drejtë blerje nga Domzale, Rubin Hebaj.

Mes blerjeve të kësaj vere në Kategorinë Superiore janë edhe ato të Ditmar Bicajt dhe Tefik Osmani nga Teuta, ndërsa Olsi Teqja është rikthyer në Shqipëri, duke nënshkruar me Kamzën. Të gjithë këta futbollistë janë bashkuar me skuadrat e tyre respektive dhe kanë nisur prej ditësh punën për sezonin e ri futbollistik në Kategorinë Superiore që nis pas 2 javësh.

Top Channel