Thaçi: S’ka autonomi për serbët. Referendum për marrëveshjen finale me Serbinë

03/08/2018 14:19

Korrigjimi i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, sipas presidentit Hashim Thaçi do ta ketë mbështetjen ndërkombëtare, nëse arrihet që kjo çështje të përfshihet në marrëveshjen për normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, në kuadër të dialogut të Brukselit.

Edhe sot, presidenti Thaçi ka dalë në një konferencë për shtyp, ku foli për mundësinë historike që Kosova dhe Serbia ta korrigjojnë në mënyrë paqësore kufirin, duke përmendur me këtë rast përfshirjen e komunave jugore të Serbisë; Preshevë, Bujanoc e Medvegjë; në kuadër të territorit të Kosovës.

Ndërkohë, Kosova – sipas tij, – nuk e ka si opsion ndarjen e asnjë pjese të saj për t’iu bashkuar Serbisë.

“Institucionet tona nuk guxojnë t’i mbyllin sytë dhe ta injorojnë një mundësi të tillë historike e të papërsëritshme. Duhet të bashkohemi dhe t’i themi ‘po’ kësaj kërkese krejt racionale, të drejtë dhe historike, e cila ka mundësi të realizohet krejtësisht në mënyrë paqësore”, tha Thaçi.

Sidoqoftë, Thaçi është shprehur skeptik për faktin se Beogradi do të pranonte që komunat me banorë shqiptarë në Serbi t’i bashkohen Kosovës, ndërsa për herë të parë foli edhe për përfshirjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve të Kosovës në procesin e dialogut, përmes referendumit.

Por, ndërkohë, zërat për ndryshim kufijsh në Kosovë janë intensifikuar. Krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, përkrah finalizimit të marrëveshjes me Serbinë janë çështjet përfundimtare, për të cilat pritet rakordim nga palët e përfshira në dialog.

Ndërsa në Serbi flitet për Kosovën si pjesë e saj, Thaçi kundërshton idenë e ndarjes së Kosovës në vija etnike dhe flet për korrigjim kufijsh. Për ndarje dhe trazira ka folur edhe Sava Janjiç, prifti ortodoks serb, duke dhënë alarmin se po qarkullojnë informacione për një skenar të koordinuar, sipas të cilit do të provokohej situata, në mënyrë që përshkallëzimi i saj të çonte në ndarje.

Në anën tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj thotë se zërat për ndarje të Kosovës janë vetëm spekulime. Një ditë më parë u tha madje se, pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk do të mund të marrin pushime nga data 1 gusht, për shkak të planifikimeve operacionale. 4 gushti është data e fundit për hartimin e Statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, sipas BE-së.

Top Channel