Paleokastra thahet për ujë. Furnizimi, me tuba plastikë që çahen vazhdimisht

03/08/2018 13:02

Në Paleokastër, një zonë 15 km larg Gjirokastrës, banorët vuajnë një problem të hershëm të furnizimit me ujë të pijshëm.

Të paktën 50 familje furnizohen nga një rrjet shpërndarës me tuba plastikë për vaditje, jashtë çdo standardi.

Uji ka probleme të cilësisë, sepse tubat çahen vazhdimisht pasi gjenden në sipërfaqe të tokës, por banorët thonë se janë të detyruar ta pijnë.

E gjithë zona prej disa fshatrash furnizohet me ujë të pijshëm dy herë në ditë, por Paleokastra, që gjendet në rrjetin fundor të ujësjellësit, ka ujë më pak se një orë në ditë.

Figali Labi thotë se situata është e njëjtë prej dekadash. Klementi, një tjetër banor me profesion hidraulik, thotë se situata është alarmante, për shkak të sasisë që nuk mjafton për askënd, ndërsa cilësia është problem më i madh.

Në vitin 1999, investimi me vlerë 28 milionë lekë për ujësjellësin e ri u mendua se do ta zgjidhte situatën. Banorët madje u bënë aksionerë, falë bashkëfinancimit për këtë investim, por situata nuk ndryshoi.

Një pjesë e zonës refuzon ta paguajë ujin e pijshëm prej vitesh, sepse megjithëse kanë drejtuar shumë ankesa për furnizimin, nuk kanë marrë zgjidhje.

Top Channel