Mund të quhet një “mallkim” apo një “paradoks”, por është një statistikë e bezdisshme që ngadhënjen prej 7 vitesh mes zhgënjimeve të shumta.

Te Milani ekziston një fanellë, ajo e qendërsulmuesit, që në 7 sezonet e fundit nuk ka arritur kurrë të shënojë mbi 10 gola në Serie A, përkundrazi, vetëm në një rast ka kaluar 5 golat në kampionat, e ai është Lapadula me 8 gola në sezonin 2016-2017.

Që prej lamtumirës së Pippo Inzaghit në vitin 2012, numri 9 i kuqezinjve është mbajtur mbi shpinë nga disa lojtarë të tjerë, por në çdo rast rezultati ka qenë negativ, për të mos thënë një zhgënjim total.

Tashmë do t’i takojë argjentinasit Higuain, i cili do t’i rrëmbejë numrin 9 portugezit Andre Silva, në kërkim për të thyer këtë tendencë negative.

Në verën e vitit 2001, Milani do të blinte nga Juventusi Filippo Inzaghin, i cili në 11 sezone me numrin 9 mbi shpinë do të kontribuonte në shkrimin e faqeve më të rëndësishme të historisë së “djallit”.

Pasuesi i tij i parë do të ishte Pato në vitin 2012, i cili e mbylli me zero gola sezonin, përpara se t’ia dorëzonte atë numër Alessandro Matrit, i cili ndonëse bëri më mirë sesa braziliani, nuk shënoi më shumë sesa 1 gol. E njëjta shifër edhe për Fernando Torresin vitin pasardhës, ndërsa Mattia Destro do të ndalej në kuotën e 3 golave.

Në sezonin 2015-2016, në Milano do të zbarkonte Luiz Adriano, por edhe ky brazilian do të linte pak gjurmë, me 6 gola gjithsej dhe 4 në kampionat, përpara se fanella me numrin 9 të kalonte te Lapadula. Ky i fundit rezultoi sulmuesi më i mirë në 7 vitet e fundit, me 8 gola në Serie A.

Sezonin e kaluar, blerja e re me shumë bujë Andre Silva do të ndalej në vetëm 2 gola në kampionat dhe 8 në Europa League; shumë pak për një fanellë që për “djallin kuqezi” do të thotë histori.

Në 138 ndeshje në total, 7 lojtarët e fundit që kanë mbajtur numrin 9 të Milanit kanë shënuar vetëm 31 gola. Në të njëjtën periudhë, Higuain i vetëm ka shënuar 164 gola. Por, a përbën ky një sinjal apo sfidë, e cila do të ketë një tjetër protagonist, duke qenë se do të jetë pikërisht “El Pipita” që do të mbajë këtë fanellë për sezonin e ri?

Qendërsulmuesi titullar i Juventusit kalon tashmë te Milani, plot 17 vite pas Inzaghit.

Top Channel