Turizmi, 40% me shkelje. Tatimet: Probleme me faturat dhe punën në të zezë

02/08/2018 14:57

Mbi 6.000 subjekte janë kontrolluar nga Tatimet në funksion të aksionit për sezonin turistik. 40 për qind e subjekteve kanë rezultuar me probleme.

Ndërkohë, drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Vasilika Vjero rradhit shkeljet më të shpeshta.

“Mosregjistrimi i tatimpaguesve pranë organeve tatimore, mosdeklarimi i të punësuarve, mospagesa e kontributeve, ekzistenca e tatimpaguesve që nuk lëshojnë kupon tatimor, nuk faturojnë produktet që ata tregtojnë, ekzistenca e printerave jofiskalë apo mosregjistrimi pranë hoteleve i personave që janë duke pushuar”, tha Vasilika Vjero.

Në total, vlera e shkeljeve i kalon 90 milionë lekë. Ndërkohë që shumë subjekte janë kapur duke ushtruar aktivitet pa u regjistruar si biznese.

“Më shumë se 240 tatimpagues janë konstatuar të paregjistruar pranë organeve tatimore qendrore dhe vendore, të cilët janë bllokuar menjëherë dhe janë orientuar drejt Qendrës Kombëtare të Biznesit për t’u regjistruar”, u shpreh më tej Vjero.

Kontrollet e Tatimeve në bizneset që ofrojnë shërbime turizmi janë shtuar, pasi qeveria miratoi disa lehtësira fiskale, përfshirë dhe uljen e TVSH-së për Hotelerinë. Ndëshkimet fillojnë që nga gjobat, e deri te bllokimi i aktivitetit për 30 ditë.

Top Channel