Hap krahun, Makron, se ka nisur një “vëllazëri” e re te Shtëpia e Bardhë. Edhe pse ndoshta s’ta merrte mendja, këtë të hënë Trump u bë me një shok të ri të ngushtë nga Europa.

Sytë e Xhuzepe Kontes, kryeministrit të Italisë, lëshonin vështrime të pasigurta herë nga Trump, herë nga kamerat, pastaj prapë te Trump.

Konte duket më shumë i trembur se i magjepsur nga admirimi. Ndoshta ndihet në siklet pranë një prej presidentëve më të paparashikueshëm që ka pasur Amerika së fundmi.

Për herë të fundit janë takuar në Kanada, për takimin e G7, kur Trump ishte duke vluar gjithë zemërim kundër aleatëve europianë dhe tarifave tregtare me vendet e tyre. Por Konte, ndryshe nga homologët e tij, mori vetëm lëvdata.

Por nëse Konte ka qenë shqetësuar se mos Trumpit i kishte mbaruar dashamirësia që nga ai takim, tani nuk ka më arsye, sepse të dy dolën në një konferencë shtypi rreth dy orë më pas, duke rrezatuar admirim të ndërsjellë për njëri-tjetrin.

Trumpi i kujtoi botës ngjashmëritë e tyre: “Patëm një takim shumë të mirë te G7. Atje u bëra mik me Xhuzepen. Mendimet tona përputheshin ndoshta më shumë se me këdo tjetër në atë sallë”.

Ish shoku i ngushtë, Emanuel Makron, mund të ketë qenë vërtet i pari që e vizitoi Trumpin, por vetëm Konte ka atë që do me të vërtetë presidenti amerikan: probleme të ngjashme dhe qasje të ngjashme për zgjidhjen.

  Makron, tri ditë te Shtëpia e Bardhë. Merkel më pak se tri orë

Problemi më urgjent mes tyre është emigrimi i paligjshëm. Dhe për këtë temë, të dy udhëheqësit ndajnë një qëndrim.

Trump: “Na duhet më shumë siguri në kufi. Këtë mund t’jua vërtetojë dhe zotëria, sepse (siguria e kufirit) ka qenë një element shumë ndikues në fitoren e tij, por edhe në fitore të tjera në Itali. Ishte faktor i rëndësishëm edhe për fitoren time. Na duhet më shumë siguri në kufi.”

Konte: “Problemi nuk është vetëm te rrugët që ndjekin emigrantët, por edhe te siguria në përgjithësi. Nëpërmjet këtyre rrugëve të udhëtimit mund të futen luftëtarë të huaj, njerëz që mund të jenë kërcënim terrorist.”

Dhe teksa qëndronte aty, duke përfaqësuar Italinë, një vend themelues të BE-së (organizatë që Trump e përçmon), Konte kënaqej me fjali populiste dhe mbulonte Trump-in me mbështetje për Rusinë, për tregtinë, për terrorizmin e madje edhe për qortimet që presidenti amerikan u bëri drejtuesve të tjerë të NATO-s.

Italianët kanë të drejtë që janë të mërzitur nga BE, që nuk u ofroi mbështetje për krizën e emigrimit. Janë duke u përballur me një barrë të rëndë që u krijua nga kjo valë emigrimi nga Afrika e Veriut, dhe kanë marrë shumë pak ndihmë konkrete në gjithë këto vite.

  Italia kundër Europës

Europa është duke u përballur me një dukuri që s’ishte parë prej dy brezash, dhe përçarja për mënyrën se si duhet menaxhuar sa vjen e po shtohet. Kështu që, s’është çudi që Trump gjen një mik te Konte.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila ka hapur dyert e Gjermanisë për më shumë se 1 milion emigrantë që janë larguar nga lufta në Siri, ka parë t’i bjerë pushteti dhe popullariteti, ndërkohë që partitë e djathta, kundër emigrimit, vazhdojnë të rriten.

Fqinjët e saj të djathtë në Hungari dhe në Austri kanë ndërmarrë tjetër qëndrim ndaj emigrantëve. Të dy palët kanë ngritur gardhe.

Viktor Orbani, kryeministri populist i Hungarisë, ka kaluar një ligj që ndëshkon këdo që ndihmon emigrantët, e madje ka paralajmëruar për një Europë post-Kristiane.

Bashkë me udhëheqësit e tjerë të katërshes së Vishegradit, Orbani dhe kryeministri çek, Andrej Babishava, i refuzuan kuotat e BE-së për pranimin e emigrantëve. Udhëheqësi çek, madje, e paralajmëroi Brukselin se nëse nuk zgjidhet kriza e emigrimit, ai nuk është personi më i keq me të cilin do të përballen.

  Tre vizionet e europianëve që mund të shpërbëjnë BE-në

Suedia pritet të shkojë në zgjedhje pas disa javësh, dhe ashtu si vendet e tjera skandinave, edhe ata kanë pasur të bëjnë me populizma që dalin kundër traditës për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Migrimi është çështje që krijon ndasi dhe që i jep së djathtës një mundësi për të sfiduar partitë e vjetra, si qendra liberale dhe e majta.

Në shumicën e vendeve të Europës, populistët janë ata që po vjelin më shumë përfitime nga problemi i emigrimit, dhe Trump është mëse i gatshëm t’i ndihmojë.

Ndërkohë, në Britani, (ku njerëzit votuan Brexit dy vite më parë, një referendum gjatë të cilit u diskutua shumë emigrimi), Trump foli për dëmin që po i bëhet Europës nga emigrantët.

“Po ndryshon kulturën, dhe kjo është shumë negative për Europën. Nuk është korrektesë politike ta thuash këtë, por unë do ta them, dhe do ta them me zë të lartë”, tha ai.

Pak muaj para se të vinte Trump, këtë fjali kishte thënë me zë të lartë dhe ish “mjeshtri” i tij, populist i së djathtës ekstreme, Steve Bannon, gjatë një turi në kryeqytetet evropiane.

Ai vizitoi këtë maj Budapestin e Orbanit, u mirëprit në Italinë e Kontes, para se të shkonte e të fshihej në një hotel të Londrës, pak para mbërritjes së Trump-it, ku mbajti takime me nacionalistë populistë të Suedisë, Belgjikës, Francës dhe Britanisë.

Bannon ka njoftuar ditët e fundit se po ngrenë një bazë qendrore në zemër të BE-së, në Bruksel, me qëllimin për të bashkuar populistët e Europës nën mesazhin e tij përçarës dhe anti-emigrim.

Orbani është i pari që po e duartroket.

  “E djathta ekstreme nuk do ta zhbëjë BE-në, por ta kontrollojë siç është”

Niveli se ku kanë arritur këto përpjekje u duk qartë kur qeveria populiste e djathtë e Kontes refuzoi të strehonte emigrantë libianë, të cilët kishin humbur kursin nëpër Mesdhè.

Spanja dhe Franca ndërhynë dhe u shpëtuan jetën emigrantëve, por ende nuk është gjetur zgjidhje për problemin e madh, se si të ndalohet ardhja e tyre në vazhdimësi, gjë që ka ndezur edhe më shumë zjarrin populist të Bannon-it.

Ditën që Konte u nis për në Uashington, zëvendësi i tij, Mateo Salvini, citoi udhëheqësin italian që mbështeti Hitlerin gjatë Luftës së Dytë Botërore, Benito Musolinin, duke thënë: “Sa më shumë armiq, aq më shumë nder.”

Për t’u siguruar që kishte acaruar mjaftueshëm njerëz, Salvini e postoi edhe në Twitter komentin ngacmuese, gjë që e përdori për të festuar përvjetorin e lindjes së Musolinit.

Në librin e saj, “Fashizmi: Një paralajmërim”, ish Sekretarja e Shtetit të SHBA-ve, Madeline Albright, (që është gjithashtu një refugjate e mbijetuar nga Lufta e Dytë Botërore), e përshkruan fashizmin “jo si një ideologji të së majtës, të qendrës apo të së djathtës, por si një mënyrë për të forcuar pushtetin e një individi që hiqet sikur po vepron në emër të kombit.”

Ajo e di më mirë se kushdo. Turp të kenë ata që refuzojnë ta mbajnë mend.

Pavarësisht Bannon-it e Trump-it, shumica e Europianëve nuk e ndiejnë lidhjen me milionat e paraardhësve të tyre që emigruan në brigjet e Amerikës, ndërkohë që Trump vazhdon me valën e tij populiste, shumë larg vlerave të tyre të vërteta.

Nic Robertson, CNN

Top Channel