Pronat, DASH zbardh kostot shqiptare në Gjykatën e Strasburgut: 50 mln USD

31/07/2018 16:02

Fatura e vendimeve, që Gjykata europiane e Strasburgut ka dhënë kundër Shqipërisë për çështjen e pronave ka arritur plot 50 milionë dollarë. Shifra është bërë publike për herë të parë nga Departamenti amerikan i Shtetit, në deklaratën vjetore të klimës së investimeve.

“Deri më tani, Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg ka dhënë 29 vendime në favor të pronarëve, me një kosto totale prej 50 milionë dollarësh”, thuhet në raportin e DASH.

Kthimi dhe kompesimi i pronave në Shqipëri ka filluar që në vitin 1993. Por, sipas Departamentit të Shtetit, ky proces ka qenë i ngadaltë dhe është minuar nga korrupsioni, duke i detyruar shumë pronarë t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut.

Fatura nga gjyqet e pronave është cilësuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si një nga dy risqet më të mëdha për financat e shtetit, bashkë me koncesionet. Kjo çështje u rikthye në vëmendjen e publikut një vit më parë, kur Gjykata e Strasburgut i dha të drejtë pronarëve të pallatit të ndërtuar në Vlorë nga familjarë të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke e dënuar Shqipërinë me 11 milionë euro.

Aktualisht, në Gjykatën e Strasburgut janë edhe 400 padi të tjera pezull të pronarëve kundër qeverisë shqiptare, të cilat presin për një vendim nëse do të shqyrtohen apo jo.

Dy vite më parë, qeveria miratoi një ligj të ri, i cili parashikon kompesimin e pronarëve për një afat 10-vjeçar, sipas një formule të re që është kontestuar jo pak nga pronarët. Sipas qeverisë, hyrja në fuqi e ligjit të ri për kthimin dhe kompesimin e pronave ul rreziqet që mund të vinin nga vendimet e Strasburgut. Kjo, pasi edhe nëse do të ketë çështje të reja kundër Shqipërisë, vendimet për kompesimin e pronave do të bazohen në formulën e ligjit të ri.

Top Channel