Tensione Greqi-Rusi; Kotzias: Kaloi koha kur mbyllej një sy

23/07/2018 15:26

Tensionet mes Athinës dhe Moskës po shtohen dita ditës e së fundi, dy aleatet tradicionale janë përfshirë në një luftë të ashpër verbale mes tyre.

Në një kohë akumulimi të provave që tregojnë se sa i angazhuar është Kremlini për të shmangur ekspansionin e NATO-s në Ballkan, ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias përdori dy intervista këtë fundjave për të fshikulluar Moskën.

“Rusia duhet ta kuptojë se nuk mund të mos respektojë interesat kombëtare të një shteti tjetër sepse ndihet më e fortë”, tha Kotzias për gazetën Syntakton.

I pyetur nëse e shqetëson ashpërsimi i beftë i marrëdhënieve mes dy vendeve pas vendimit të Athinës për të dëbuar dy diplomatë ruse, shefi i diplomacisë greke u përgjigj se interesi kombëtar vjen i pari. Greqia ka vendosur t’i dërgojë një mesazh lindjes dhe perëndimit, të gjithë miqve të saj dhe të tjerëve se pavarësisht nga marrëdhëniet që kemi, kush shkel parimet e sovranitetit dhe respektin ndaj nesh, do të përballet me masa. Koha kur mbyllja e njeriut sy konsiderohej diplomaci, ka kaluar”, u shpreh Kotzias.

Deklarata e tij erdhi 11 ditë pasi qeveria e Alexis Tsipras njoftoi dëbimin e dy diplomateve dhe ndalimin e dy të tjerëve për të hyrë përsëri në Greqi për aktivitete që thuhet se shkelin ligjet vendase.

Në fillim të javës së kaluar, Athina deklaroi se e konsideronte çështjen të mbyllur. Tërbimi i saj fokusohet tek përpjekjet e Rusisë për të sabotuar marrëveshjen historike të emrit, e cila u nënshkrua me palën maqedonase në muajin qershor.

Top Channel