Historia e diplomacisë online; Mbi 6 milionë dokumente të aksesueshme nga publiku

22/07/2018 19:58

Në Arkivin e Ministrisë për Evropën dhe Punëve të jashtme ndodhen një numër i madh dokumentesh që përfshijnë historinë e diplomacisë shqiptare, qysh prej kohës së Princ Vidit e deri në ditët e sotme. Tashmë është më e lehtë që të gjitha këto dokumente të aksesohen për publikun edhe online.

“Dosja që unë kam në dorë është një pjesë e një pasurie të madhe arkivore që institucioni i ministrisë për evropën dhe punët e jashtme ka, administron dhe shfrytëzon. Është pranimi i Shqipërisë Në lidhjen e Kombeve”, u shpreh Pranvera Teli, drejtore e drejtorisë së arkivit historik.

Në rubrikën “Historia e diplomacisë shqiptare”në faqen zyrtare të kësaj ministrie, kjo do të jetë dosja e kësaj jave e aksesueshme online. Kjo rubrikë synon t’i ofrojë publikut informacion të plotë për pasuritë arkivore historike të diplomacisë shqiptare.

“Ministria e Jashtme posedon mbi gjashtë milion dokumente historike, që prek gjithë harkun kohor prej një shekulli që nga krijimi i shtetit shqiptar. Politikën e Jashtme, diplomacinë. Të gjitha këto janë pjesë e kësaj pasurie që tashmë do të jetë krejt e hapur për publikun duke dhënë akses në mënyrë digjitale”, tha Teli.

Ngjarjet më të rëndësishme që kanë lënë gjurmë në politikën e jashtme. Ato që kanë vendosur standardet në rrugëtimin diplomatik të shtetit shqiptar. Brenda kësaj rubrike informacioni do të pasurohet javë pa jave për studiuesit apo kuriozët mbi këtë pasuri arkivore.

“Kjo pasuri kaq e madhe , do të hidhet në mënyrë të organizuar, në mënyrë të rregullt historike online. Me tema të caktuara, figura të caktuara. Kjo për arsye të qenies nga afër në çdo telefon celular apo ipad. mund të konsultohesh, të marrësh njohuri apo t’i shfrytëzosh për qëllime studimore dokumentet e kësaj pasurie që ne kemi”, u shpreh Teli.

Top Channel