Festa e “Teto Ollgës”, gara e gatimeve tradicionale të zonës së Tushemishtit

22/07/2018 20:31

Teto Ollga është një nga personazhet më të dashura te filmave shqiptare që e ka sjelle me mjeshtëri aktorja e madhe Violeta Manushi. Fshati Tushemisht në Pogradec, ku u xhirua filmi, jo vetëm që ka ngritur një bust për aktoren, por organizon edhe një festë me gatimet tradicionale të zonës, që e quan “Festa e Teto Ollgës”.

Shumëkush që shkon në Tushemisht, e viziton prej Teto Ollgës. Por një arsye më shumë për të shkuar, përveç se për të parë fshatin ku janë xhiruar dy filmat e njohur në periudhës së diktaturës është edhe festa e Teto Ollgës me gatimet e saj, e cila zhvillohet për herë të parë këtë vit, por që nuk do të jetë e fundit.

“Për mua ka edhe një lidhje familjare. Motra e gjyshes time quhej Ollga dhe është ekzaktësisht personazhi të cilit Pirro Milkani I është drejtuar për të vënë në jetë këtë film. Ajo quhej Ollgë Bellovoda në fakt”, u shpreh Zana Sina, organizuese e Festes së Teto Ollgës.

Pjesë e filmit është bërë edhe kjo shtëpi e 85 vjeçares, Lirie Mhillit, e cila na kujton prapaskenat e xhirimit me aktoren Violeta Manushi.

“Bisedonim bashkë. Vinte e hante drekë te unë. I shtroja unë një levenxë e thoshtë këtu dua të ha”, tha Lirie Mhilli, banore në Tushemisht.

Festa e Teto Ollgës nis me prerjen e bostanit, duke na kthyer në kohë 42 vite më parë, kur xhirohej “Zonja nga qyteti”.

Më pas një konkurs me gatimet tradicionale nga bujtinat e Tushemishtit, të cilët kanë ruajtur emrat e filmave dhe personazheve. Juria e cila përbëhej edhe nga banorët e zonës, pasi provonin gatimet jepnin mendimet për shijen e tyre.

Top Channel