Sebastian Vettel “fluturon” në shtëpi dhe siguron Pole position-in në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Hockenhaimit, në Gjermani, pavarësisht reshjeve të shumta që shtynë për disa momente daljen e makinave në pistë.

Piloti gjerman i Ferrarit regjistroi një kohë të jashtëzakonshme 1’11″212, duke lënë pas pilotin finlandez të Mercedesit, Valteri Bottas.

Makina tjetër Ferrari, ajo e Kimi Raikkonen do të niset e treta, ndërsa për Lewis Hamilton nuk shkoi aspak mirë.

Piloti britanik u detyrua të tërhiqet nga provat, në raundin e parë kualifikues, për shkak të një problemi në makinë dhe do të niset nga vendi i 14 nesër.

Kjo është një mundësi mjaft e mirë për gjermanin Vettel, që të thellojë diferencën e pikëve me britanikun, në renditjen e përgjithshme për pilotë.

Aktualisht piloti i Ferrarit kryeson me 171 pikë, i ndjekur nga kampioni në fuqi i botës, Hamilton me 163 pikë.

Top Channel