Është zhvilluar pasditen e sotme në stadiumin e Klagenfurtit edhe ndeshja e dytë e International Champions Cup, mes Bayernit të Mynihut dhe Paris Saint Germain, e fituar 3-1 nga gjermanët.

Francezët kaluan të parët në avantazh, me anë të Weah në minutën e 31-të, duke bërë që pjesa e parë të mbyllej me rezultatin 0-1.

Në 45-minutëshin e dytë, trajneri i sapoemëruar i Bayernit, Niko Kovaç bëri disa zëvendësime dhe arriti të përmbysë rezultatin dhe të fitojë sfidën 3-1.

Mesfushori spanjoll Martinez barazoi shifrat në minutën e 60, ndërsa më pas ishin Sanchez dhe Zirkzee, ata që dërguan topin në rrjetën e portës pariziene.

Vlen të përmendet se PSG-ja kishte vetëm 3 futbollistë titullarë në skuadër, njëri prej të cilëve ishte Gigi Buffon, që luajti për 66 minuta dhe pësoi një gol.

Nga ana tjetër, Kovaç pati në fushë disa nga titullarët e tij, përfshi edhe lojtarë si Alaba, Ribery, Robben, Martinez, etj., ndërsa në pjesën e dytë luajti edhe mesfushori me origjinë nga Kosova, Meritan Shabani.

Top Channel