Imami dhe Paja: Teatri i ri, një godinë përfaqësuese dhe funksionale

20/07/2018 10:45

Aktorët e njohur Artan Imami dhe Gazmend Paja e cilësojnë ndërtimin e një Teatri të Ri Kombëtar një ngjarje të gëzueshme. Ata shprehin bindjen se godina e re do të jetë përfaqësuese dhe funksionale.

“Te Teatri Kombëtar kam marrë dhe kam ndarë me kolegët momentet më të gëzueshme që gjithkush i meriton pas një pune serioze. Nëse me atë skenë nuk do të kisha këtë lidhje të fortë, do të isha larguar që në ’90-n prej saj dhe Shqipërisë. Është ajo skenë që më ka dhënë emër dhe mbiemër, më ka dhënë krenari. Unë do të jem nga ata që do të derdh lot dhimbjeje të përziera me një mendim të thjeshtë, kur shembja të ndodhë e të fillojë ndërtimi i ri. Një pjesë shumë e dashur e imja ikën bashkë me atë godinë, por ndërtimi i skenës së re në atë tokë që nuk guxon ta shkelë askush tjetër për qëllime përfitimi, përveç nesh, për qëllimet më sublime, DO TË NDËRTOHET. I kërkoj ndjesë lexuesit për këto fjalë paksa patetike, por ajo që unë them është, ndërtimi i Teatrit të Ri Kombëtar është një ngjarje e gëzueshme. Në atë vend, duhet të kuptojmë se nuk do të varroset ajo çka e gjallë do të ngelet në mendjet dhe zemrat tona”, theksoi Artan Imami.

Ndërsa, Gazmend Paja thotë se edhe godina e re do të ketë vend për të respektuar dhe legjendat që u rritën me punën e tyre. “Unë jam shprehur kur më është dhënë mundësia dhe vazhdoj të kem të njëjtin qëndrim. Po, e dua teatrin e ri, siç dua zhvillimin e vendit tim. Jam i sigurt që do të jetë një godinë përfaqësuese, funksionale, ashtu dhe në aspektin arkitektonik. Ajo hapësirë do të ketë vend për të respektuar dhe legjendat që u rritën me punën e tyre”, deklaroi Paja.

Top Channel