Dyqani i Drita Lulos në rrugën “Ymer Kurti”, pranë postës nr. 8 në kryeqytet, u hodh në erë. Pronarja mësohet se është motra e ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulo i shkarkuar nga vetting-u më 23 mars.

Në dyqan nuk zhvillohej asnjë aktivitet biznesi dhe prona ishte nxjerrë në shitje prej disa kohësh. Nga shpërthimi fatmirësisht nuk pati të lënduar në njerëz, por dëme të konsiderueshme materiale.

Pëveç xhamave të thyer në disa kate edhe të ndërtesave përballë, edhe 4 automjete që ishin parkuar aty pranë pësuan dëmtime.

Shpërthimi i fuqishëm që tronditi banorët e zonës ka ndodhur rreth orës 2:00 pas mesnate. Sipas burimeve policore, besohet se në këtë dyqan është vendosur 200 gramë lëndë eskplozive.

Policia thotë se po heton mbi ngjarjen, ndërsa sipas informacioneve, pronarja e dyqanit, motra e ish-gjyqtarit, aktualisht ndodhet jashtë vendit.

Uniformat blu po hetojnë nëse ngjarja ka lidhje me detyrën e vëllait të saj, Fatos Lulo të cilin Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e shkarkoi për mungesë të ligjshme të burimeve financiare dhe deklarim të rremë të pasurisë.

Top Channel