Kreu i Partisë Denokratike, Lulzim Basha zhvilloi sot një bashkëbisedim me gazetarët, ku u rikthye të flasë edhe njëherë për ligjin për Teatrin.

Basha theksoi qëndrimin e pandryshuar të Partisë Demokratike, për të mos u dorëzuar në përpjekjen për të mbrojtur Teatrin Kombëtar si pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit, nga prishja e planifikuar nga qeveria.

“Ne jemi të vendosur të mbrojmë Teatrin Kombëtar nga prishja dhe tjetërsimi i pronës së tij, nga ana e oligarkëve të Edi Ramës. Habitem se si KiE në Tiranë, OSBE në Tiranë dhe BE në Tiranë nuk ka reaguar, deklaroi Basha.

Lideri i opozitës tha se plani për prishjen e Teatrit Kombëtar është bërë nga Rama që para 20 vitesh, kur ishte Ministër i kulturës, por atëherë nuk ia doli.

“Ligjet janë për të gjithë të njëjtë dhe ne nuk mund të votojmë në mënyrë antikushtetuese një ligj të posaçëm, për të favorizuar lakejtë e Edi Ramës, që synojnë të pastrojnë paratë e drogës. Plani i Ramës për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar ka nisur që para 20 vitesh, kur ai ishte ministër i Kulturës dhe tani po bën gjithçka për të realizuar këtë plan ogurzi të tij”, tha kreu i Partisë Demokratike.

Basha nuk ngurroi ta cilësojë një atentat me pasoja të rënda për lirinë e pronës dhe shëndetin e qytetarëve shqipatrë, kalimin e këtij ligji në mungesë të Gjykatës Kushtetuese.

Ai vijoi edhe më tej, duke paralajmëruar kompaninë që pritet të ndërtojë Teatrin e ri, Fusha shpk, se nuk do të gëzojë aspak këto “dhurata” që po merr nga qeveria në mënyrë të paligjshme.

“Ne kemi paralajmëruar arkitektin Bjorke Ingels se do të shpallet “non grata” në Shqipëri, dhe sot dua t’i çoj një paralajmërim të qartë kompanisë Fusha shpk. Ju them se nuk do të gëzojnë asnjë qindarkë që do të përfitojnë nga kjo aferë, sepse do t’i nënshtrohen një ligji të posaçëm antimafia dhe do t’u sekuestrohet çdo e ardhur nga kjo veprimtari dhe veprimtari të tjera kriminale të tyre”, deklaroi Basha.

Top Channel