Kryeministri maqedonas Zoran Zaev u takua me krerët e partive politike të përfaqësuara në Parlament për të diskutuar mbi referendumin e ardhshëm.

Shefi i ekzekutivit sqaroi se pyetja që do t’i bëhet votuesve mund të jetë: A jeni për anëtarësim në BE dhe në NATO me pranimin e marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?

“Qytetarët duhet të konsultohen për një çështje kaq të rëndësishme. Vendimin duhet ta marrë Kuvendi, por vullneti i popullit do të jetë vendimtar dhe këtë duhet ta respektojnë të gjitha forcat politike parlamentare”, deklaroi ai në përfundimin e takimit që zgjati plot 4 orë.

Referendumi në të cilin qytetarët e Maqedonisë do të deklarohen nevojitet të jetë konsultativ. Ai konsiderohet përfundimtar nëse të paktën 50% e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në Listën e Votuesve dalin në referendum.

Takimi u bojkotua nga partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE. Lideri i saj Hristijan Mickovski, ka kërkuar që për këto çështje të diskutojnë vetëm katër partitë më të mëdha politike në vend, dy maqedonase dhe dy shqiptare dhe jo të marrin pjesë edhe parti të tjera të vogla.

VMRO gjithashtu pretendon që referendumin ta paraprijë miratimi i ligjit për financimin e partive politike dhe formimin e qeverisë teknike para zgjedhjeve, qofshin ato të rregullta apo të parakohshme.

Top Channel