Rritja e temperaturave dhe frekuentimi i restoranteve në zonat turistike, por jo vetëm ka shtuar numrin e pacientëve me probleme gastrointestinale në shërbimin infektiv në QSUT.

“116 raste vetëm dje, kjo tregon qe kemi raste në rritje, por pritet të kemi edhe më shumë”, shprehet Gentian Stroni, mjek në Shërbimin Infektiv në QSUT.

Puna e shtuar në këtë sezon të verës bën që punonjësit e restoranteve të mos kujdesen për higjienën pa menduar pushuesit, gjë të cilën e konfirmojnë dhe mjekët e këtij shërbimi, të cilët jo më larg se të dielën janë përballur me një rast të tillë.

“Tre persona kishin konsumuar të njëjtin ushqim në të njëjtin restorant”, tregon Stroni.

Por pushuesit duhet të bëjnë kujdes dhe kur marrin ushqim me vete pasi sipas mjekut Stroni ka pasur raste kur janë helmuar edhe me ushqimin e tyre

“Marrin ushqim me vete dhe e konsumojnë ne drekë ndërkohë që ka qëndruar në diel me orë të tëra”, shprehet ai.

Mjeket e këtij shërbimi u bëjnë apel qytetarëve që të mos paraqiten menjëherë në urgjencë kur vënë re probleme gastrintensianle, por të bëhen edhe mjekë të vetes.

Me rritjen e temperaturave mjekët u kërkojnë qytetarëve të bëjnë kujdes me higjienën qoftë kur konsumojnë një frut, apo edhe kur zgjedhin të konsumojnë në restorante.

Top Channel