Top Talent në Top Channel; Të mërkurën nis transmetimi i Talent show

17/07/2018 15:35

Spektakli “Top Talent” nis transmetimin mbrëmjen e të mërkurës në orën 22:00 në Top Channel.

Konkurrentët e përzgjedhur nga njoftimi i dhënë në muajt prill dhe maj do të jenë në konkurrim individual përpara një jurie profesioniste me anëtarë Marin Memën, Beti Njumën, Edi Manushin, Bieta Sulon dhe Kelvi Kadillin, i cili është edhe prezantues i këtij show.

Audicionet e para do të jenë 4 seri, për të vazhduar më pas në fazën e dytë, atë gjysmëfinale e cila do të jetë në 2 seri, ku konkurrentët do të trajnohen nga një staf profesionist në Top Channel. Në këtë fazë do të konkurrojnë me materiale të përgatitura dhe të regjistruara në emisionet dhe departamentin e Informacionit në Top Channel.

Konkurrentët që do të arrijnë të kualifikohen nga dy gjysmëfinalet, në mbrëmjen finale do të kenë mundësinë që vetëm disa prej tyre të jenë fitues dhe të sigurojnë direkt një kontratë pune në Top Channel.

Show vjen me autorë dhe Producente Ekzekutive Ledja Liku, dhe regjisor Kliton Rama.

Të shumtë kanë qenë aplikuesit që kanë dërguar jetëshkrimet e tyre për të qenë pjesë e këtij show. “Top Talent” do të sjellë për teleshikuesit përgjatë muajve korrik dhe gusht një “talent show” të veçantë, grupmosha të ndryshme, emocione, të rinj ambiciozë e të talentuar, humor, histori personale, lumturi, lot, kurajo për të provuar dhe sfiduar veten përpara jurisë dhe kamerave.

Top Channel