Kritika e Tabakut: S’ka strukturë për hapjen e negociatave. Integrimi, pa strategji

17/07/2018 19:44

Jorida Tabaku, ish-zëvendëseministre e Integrimit kur qeverisnin demokratët, ka një pyetje për qeverinë, në kontekstin e vizitës së komisionierit për Zgjerim, Johhanes Hahn, për nisjen e punës përgatitore për bisedimet e anëtarësimit dhe kontrollin e prioriteteve që ju ngarkuan Shqipërisë edhe për një vit tjetër.

“Dua të pyes qeverinë; a na u premtua që do të fillonte negocimi për kapitujt 23 e 24 për reformën në drejtësi dhe krimin e organizuar? Në qoftë se opozita i është bashkuar këtij procesi i është bashkuar për luftën kundër korrupsionit dhe së dyti, me shpresën që do të fillonte negocimi i këtyre kapitujve”, ngre pyetjen Jorida Tabaku.

Sipas informacioneve që ka marrë nga qeveria, si anëtare e Këshillit të Integrimit Europian, deputetja demokrate tha se ndryshe nga vendet e rajonit qeveria shqiptare nuk ka as strategji gati dhe as struktura për ndjekjen e procesit të negociatave.

“A është qeveria shqiptare gati për hapjen e negociatave? A ka një strategji siç kishte Serbia, Mali i Zi, siç ka Maqedonia në fund të ditës. A janë gati institucionet? Është ngritur një strukturë që do të merret me hapjen e negociatave? A ka në ministri drejtori të certifikuara që do të drejtojnë këtë proces? Dhe përgjigja që solli qeveria në Këshillin e Integrimit është ‘jo”. Është jo sepse qeveria nuk ka vullnet dhe është jo sepse qeveria e di që nuk do të hapen as sot as nesër”, tha Tabaku.

Sipas PD, procesi teknik që Shqipëria nis me Komisionin Europian e që në gjuhën e BE njihet si “screening”, duhej të kishte nisur që kur Shqipëria mori statusin e vendit kandidat, pasi qeveritë shqiptare nuk kanë çaluar asnjëherë në përfarimin e legjislacionet me unionin.

Tabaku tha se Shqipëria ka më shumë kushte se Maqedonia, si lufta kundër drogës, reforma zgjedhore dhe ngritja e SPAK e BKH, organet që duhet të luftojnë korrupsionin dhe krimin në nivelet e larta.

Top Channel