Samiti i Helsinkit, Trump-Putin: Nuk pati ndërhyrje ruse në zgjedhjet e SHBA

16/07/2018 18:06

Drejtuesit e fushatës së Trumpit nuk patën bashkëpunim me Moskën dhe Rusia nuk ndërhyri në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në SHBA.

Kjo, së bashku me nivelin e dobët të raporteve dypalëshe ishin çështjet e vetme, për të cilat Donald Trump dhe Vladimir Putin ranë plotësisht dakord. Ndërsa pjesa tjetër ishte një mjegull deklaratash për mundësi bashkëpunimi, pikëpamjesh apo pozicionesh të ndryshme, për të cilat do të punohet në të ardhmen.

“Nuk ka pasur asnjë bashkëpunim. Nuk ka pasur asnjë ndërhyrje. Është thjesht një gjueti shtrigash. Nuk kishte asnjë arsye, përse Rusia të ndërhynte në zgjedhje. Presidenti Putin mohoi me forcë ndërhyjen në zgjedhjet amerikane”, tha Trump.

Madje Trump kritikoi FBI-në dhe Departamentin e Drejtësisë, ndërsa ia kurseu kritikat homologut të tij rus, në atë që mjaft analistë dhe ish-zyrtarë amerikanë e kanë cilësuar si konferencën për shtyp më të dobët të një presidenti amerikan në histori, madje fare pranë tradhtisë.

Për Putinin, në krahun tjetër, gjithçka ishte e thjeshtë.

“Më duhet ta përsëris, siç kam bërë disa herë, se shteti rus nuk ka ndërhyrë kurrë dhe nuk do të ndërhyjë kurrë në çështjet e brendshme amerikane, përfshirë zgjedhjet”, tha Putin.

Madje Putin shprehu gatishmërinë që agjentët e akuzuar për ndërhyje nga hetimi i Mueller, të merren në pyetje nga zyrtarë amerikanë për t’iu shkuar deri në fund dyshimeve të Amerikës.

Trump dhe Putin, ndërsa e cilësuan takimin konstruktiv, shprehën vullnet për çarmatosjen bërthamore, por gjithashtu konfirmuan pozicionet e ndryshme për çështje si Siria, Irani apo Krimea.

Samiti historik, siç pritej nuk solli asgjë të re veç premtimeve të vjetra, por nuk ka dyshim se performanca e Trumpit do të diskutohet gjerësisht, ndërsa ajo e Putinit zor se do të vihet në dyshim.

Top Channel