“Akademia e 100 fshatrave”, Rama: Do t’i kthejmë në destinacione të mirëfillta turistike

16/07/2018 11:15

Qeveria nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me 6 universitete, për të krijuar atë që ka marrë emrin “Akademia e 100 fshatrave”. Bëhet fjalë për një rrjet ndërveprimi mes ekzekutivit dhe botës universitare, në kuadër të programit të “Rilindjes Rurale”.

“Do t’i kthejmë në destinacione të mirëfillta turstike për t’i dhënë hov një zhvillimi ekonomik dhe social, aty ku deri sot kjo dukej e pamundur”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, projekti i 100 fshatrave synon t’u tregojë të gjithë atyre që jetojnë në zonat rurale, potencialin ekonomik që kanë në derë të shtëpisë.

“Të krijojmë shembuj të prekshëm suksesi për t’i hapur sytë shumëkujt, lidhur me atë që e ka para syve dhe nuk e shikon për 1001 arsye, që në radhë të parë lidhet me një politikë dritëshkurtër të zhvilluar në dekada ndaj fshatit”, tha më tej Rama.

Prania e akademikëve duket se e shtyu kreun e qeverisë në reflektime.

“Sa më shumë të zgjerojmë hapësirën e shfrytëzuar të Shqipërisë turistike, aq më shumë do të kemi familje dhe komunitete që do të kuptojnë se, në këtë vend nuk është pasuria, por është dija pengesa jonë kryesore”, deklaroi Rama.

Rama shprehu bindjen se programi i 100 fshatrave do të bëjë shumë emigrantë të ndryshojnë mendim për vendin ku janë rritur.

Top Channel