Një edicion i shkurtër informativ në faqen e Web-it, me zhvillimet e deritanishme nga Rusia 2018.

BOTËRORI, DITA E FINALES SË MADHE
Sot luhet finalja e madhe e Botërorit të Rusisë. Në orën 17:00, në “Luzhniki Stadium”, Franca dhe Kroacia do të zbresin në fushën e lojës për trofeun e rëndësishëm.

TRAJNERI MARTINEZ, ENTUZIAST: BELGJIKA BËRI HISTORINË
Trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez u shfaq entuziast pas fitores së medaljes së bronztë të Botërorit kundrejt Anglisë. “Bëmë historinë, pasi Belgjika për herë të parë u rendit e treta në një Botëror”, u shpreh Roberto Martinez.

BELGJIKA, MEUNIER VENDOS REKORD PËR KOMBËTAREN
Thomas Meunier vendos një rekord të ri për Belgjikën në Botërorin e Rusisë. Fubollisti shënoi ndaj Anglisë pas 3 minutash e 39 sekondash lojë, duke regjistruar golin më të shpejtë në historinë e Belgjikës.

ANGLIA, SOUTHGATE: ISHTE NJË AVENTURË E MREKULLUESHME
Gareth Southgate uroi futbollistët e tij për ecurinë e Anglisë në këtë Botëror, edhe pse “Tre Luanët” mbetën jashtë podiumit. “Ishte një aventurë e mrekullueshme. Nuk mund të kërkoja më shumë nga lojtarët”, tha Southgate.

FRANCA, “MACE E ZEZË” PËR KROACINË
Franca konsiderohet si “macja e zezë” për Kroacinë. Këto dy skuadra janë përballur 5 herë me njëra-tjetrën në sfida zyrtare e miqësore, e bilanci flet për transalpinët që kanë 3 fitore dhe 2 barazime.

Top Channel