Policia e Kurbinit ka finalizuar me sukses një operacion të koduar me emrin “Skuraj”, në vazhdën e të cilit kanë përfunduar në pranga shtetasit e dyshuar për vjedhje karburantesh në dy raste në rrethin e Kurbinit.

Flakon Tafa, 24 vjeç, dhe Fatjon Tafa, 27 vjeç, që të dy banues në Kurbin dhe me precedentë të mëparshëm penalë, janë arrestuar si të dyshuar për vjedhjen e armatosur dhe me maska të një karburanti më 28 korrik 2017, në fshatin Skuraj, ku kanë rrëmbyer një shumë monetare prej 110 mijë lekësh, ndërsa më 28 shkurt të këtij viti kanë tentuar të vjedhin një tjetër karburant në aksin rrugor Milot-Thumanë.

Policia ka shpallur në kërkim dhe po punon për kapjen edhe të një tjetër shtetasi, 30-vjeçarit F.K. me banim në Kurbin, edhe ky i dënuar më parë.

Për tri shtetasit e sipërpërmendur, Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Kurbinit ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” më 12 korrik të këtij viti, për veprat penale të “vjedhjes me armë” të kryer të bashkëpunim. Tashmë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rasteve të tjera të vjedhjeve, ku këta shtetas dyshohet të jenë autorë.

Top Channel