Trajnimi i vrojtuesve në plazhe, indiferentizëm nga subjektet private

12/07/2018 13:49

Në kursin për trajnimin e vrojtuesve pasditen e së mërkurës në Durrës, pjesëmarrja e kursantëve ka qenë thuajse e papërfillshme.

Vetëm një subjekt që ka një fshat turistik në Gjirin e Lalëzit ka paraqitur përfaqësuesin e vet.

“Janë kontaktuar sërish subjektet në qytetin e Durrësit për të sjellë kursantët për vrojtues të plazheve, po vetëm një përfaqësues subjekti ka ardhur”, tha Ejona Kaltani.

Indiferentizëm që merr jetë, kështu mund të konsiderohet mungesa e interesimit të shumicës së subjekteve private që shfrytëzojnë plazhet, po dhe bashkisë Durrës për t’iu përgjigjur detyrimit ligjor për marrjen e masave të sigurisë në plazhe.

“Është një situatë dramatike. Serioziteti i shpëtimit në plazhe duhet të jetë më i madh, po subjektet nuk impenjohen dhe nuk janë serioz ndaj pushuesve dhe ndihmës së parë në det”, u shpreh Igli Pustina, Federata Shqiptare Vrojtuesit e Plazhit dhe Shpëtimit në Ujë.

Po kush është përgjegjës për këtë situatë?

“Përgjegjës për këtë situatë janë subjektet dhe bashkia që nuk merr masa për ndëshkimin e tyre”, thotë Pustina.

Ndërkohë pritet një reagim nga Bashkia e Durrësit pas shkresës së ministrit të Turizmit Blendi Klosi drejtuar kryetarëve të Bashkive Bregdetare për marrjen e masave për stacionet e plazhit pa roje bregdetare. Ministri Klosi ka kërkuar zbatim të ligjit dhe ndërprerje te kontratës për këdo nuk zbaton ligjin për sigurinë në det, duke nxitur dhe fillimin e hetimeve për të nxjerrë përgjegjësit për humbjen e 3 jetëve fundjavën e kaluar në plazhe.

Top Channel