Grupi i Shteteve të Këshillit të Europës kundër Korrupsionit, “GRECO” ka vlerësuar përparimin e bërë nga Shqipëria në parandalimin e korrupsionit, ndërsa kërkon të ecet përpara me reformat dhe përmbushjen e plotë të rekomandimeve të bëra për vendin.

Në raportin e bërë publik këtë të enjte, ky organizëm veçon si hap të rëndësishëm miratimin e Kodit të Sjelljes së deputetëve shqiptarë, vlerëson Reformën në Drejtësi, por shpreh keqardhje për vonesat në procesin e rivlerësimit të gjykatësve dhe prokurorëve.

Duke njohur përparimin e bërë nga Shqipëria, në zbatimin e rekomandimeve të saj për të parandaluar korrupsionin në lidhje me parlamentarët, gjyqtarët dhe prokurorët, ai bën gjithashtu thirrje për një sërë përmirësimesh dhe përfundimin e reformave të nisura.

Sipas raportit, “Shqipëria deri më tani ka përmbushur plotësisht 4 nga 10 rekomandimet e nxjerra në raportin e saj të vlerësimit në vitin 2014. Gjashtë rekomandimet e tjera janë zbatuar vetëm pjesërisht”.

“Një hap pozitiv” vlerësohet dhe fakti që periudha e kontrolleve të deklaratave të pasurisë së deputetëve është reduktuar dhe që ato publikohen në një faqe zyrtare. Sa i përket Reformës në Drejtësi, “GRECO përshëndet faktin, që si pjesë e paketës së reformës është kufizuar roli i Presidentit të Republikës në emërimin formal të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, të propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, i përbërë nga një shumicë gjyqtarësh të zgjedhur nga kolegët e tyre”.

Për sa u përket prokurorëve, raporti vëren përparim në kuadrin ligjor për vlerësimin e tyre, i cili tani përfshin më shumë kritere lidhur me integritetin dhe standardet etike, edhe pse Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili do të jetë përgjegjës për vlerësimin e prokurorëve, ende nuk është ngritur.

Top Channel