Kaloi vettingun, por nuk shpëtoi. Kërkohet hetim i thelluar për gjyqtarin e lartë Edmond Islamaj

12/07/2018 15:33

Komisioneri Publik nuk është i bindur se konfirmimi në detyrë i gjyqtarit të lartë, Edmond Islamaj, është marrë pas hetimit të thelluar.

Dyshimet e Komisionerit Publik, që është organi që përfaqëson publikun në procesin e vettingut, lidhen me llogaritjet e pasurive të gjyqtarit të lartë, të bashkëjetueses, udhëtimet dhe sesi e ka blerë automjetin.

Florian Ballhysa ankimoi verdiktin e KPK-së në shkallën e dytë të vettingut. Komisioneri Publik thotë se, 1.000 metra katrorë tokë në Karpen, e blerë me 137 lekë për metër katror, është marrë me vlerë më të ulët sesa çmimi i referencës.

Pika e dytë është moskontrolli i transaksioneve për blerjen e truallit nga shtetasi A.H., i cili rezulton ta ketë regjistruar pronën në shkurt të vitit 2015 dhe një muaj më pas e ka shitur te gjyqtari.

Duke i kërkuar KPK-së standarde të njëjta, Komisioneri i sjell në vëmendje hetimin që është ndjekur në rastin e gjyqtares kushtetuese, Vitore Tusha, në hetimin e së cilës ZVRPP-së iu kërkua informacion për një sipërfaqe toke.

Në rastin e Islamajt, ky verifikim nuk është kryer. Kritikues është Komisioneri Publik edhe mbi mënyrën sesi janë llogaritur pasuritë e bashkëjetueses me gjyqatrin. Bëhet fjalë për të ardhurat fillestare prej 1 milionë lekë të gati 20 viteve më parë, që zonja i deklaron si shumë e fituar në një shoqatë.

Por, Komisioneri thotë se KPK-ja nuk ka pyetur bashkëjetuesen dhe të hetonte, nëse ajo i kishte paguar detyrimet tatimore. Sërish, Komisioneri kujton standardin e ndjekur nga KPK-ja kur hetoi gjyqtarin kushtetues të shkarkuar tashmë, Fatos Lulo, të cilit iu kërkuan fatura tatimore për kohën kur kishte punuar avokat.

Komisioneri Publik thotë se gjyqtari Islamaj nuk ka dorëzuar dokumente provuese edhe për një huamarrje mes familjarëve, duke e bërë hetimin të paqartë e kontradiktor.

Më tej shikohen me dyshime blerja e një automjeti në bashkëpronësi, me vlerë 20 mijë euro. Duke iu referuar sistemit “TIMS”, Komisioneri Publik shton se 8 vitet e fundit, Islamaj ka udhëtuar 64 herë, prej të cilave në detyrën e gjyqtarit të lartë i janë mbuluar shpenzimet për 8 udhëtime.

Por sërish, duke kujtuar vendimmarrjet e mëparshme, Komisioneri përmend se KPK-ja duhej të hetonte mbi adresat e sakta të familjarëve të gjyqtarit jashtë Shqipërisë.

FOTO GALERI
2/4

Top Channel