PD-LSI, kallëzim Ramës: Vepër penale me provën që ka për audiopërgjimin e Agron Xhafajt

11/07/2018 14:24

“Unë e kam marrë mbrëmë përgjigjen e analizës shkencore, të kryer në një nga laboratorët më seriozë të botës. Nuk jemi absolutisht përpara asnjë lloj prove kompromentuese për ministrin e Brendshëm, por përpara një akti mashtrimi të opinionit publik dhe atij ndërkombëtar me një material jo autentik”, tha Rama gjatë mbledhjes së grupit më 19 maj.

Mbështetur në këtë deklaratë, opozita shkoi në dyert e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për të kallëzuar penalisht kryeministrin, për veprat penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “detyrimi për të kallëzuar provën”.

“Duke mos e bërë publike, kryeministri jo vetëm që ka manipuluar opinionin publik, por po pengon zbardhjen e së vërtetës. Në bazë të ligjit ne iu drejtuam Prokurorisë të hapë hetim penal ndaj kryeministrit”, deklaroi Edmond Spaho, kryetar i grupit parlamentar të PD-së.

“Gazetarët, të cilët kanë publikuar ndonjë fakt në studio, janë pritur nga prokurorët menjëherë pas daljes së tyre nga studiot për t’u pyetur në mënyrë korrekte dhe për të filluar, pse jo, edhe hetim paraprak për ta. Po për kryeministrin, i cili thotë ‘unë kam bërë hetimin e një ngjarjeje që tronditi vendin’, si ka mundësi që të heshtin? Kjo është sot edhe vija e ndarjes”, tha kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.

Prokuroria nuk ka ende një përgjigje për audiopërgjimin që publikoi Partia Demokratike, ku pretendohej se ishte Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, duke krijuar lehtësi për trafik droge.

Top Channel