Franca, pas fitores me Belgjikën, pret skuadrën me të cilën në 15 korrik do të diskutojë finalen e Botërorit të Rusisë dhe kundërshtarja e Bluve do të dalë nga ndeshja mes Anglisë dhe Kroacisë.

Kjo do të jetë ndeshja e 8 mes këtyre dy skuadrave dhe bilanci u buzëqesh “Tre Luanëve” me 4 fitore kundrejt 2 të kroatëve, ndërkohë që 1 ka përfunduar në barazim.

Për Kroacinë kjo është hera e dytë që luan në gjysmëfinalen e një Botërori pas asaj të vitit 1998 kur humbi pikërisht ndaj Francës.

Ajo vjen në këtë përballje pas dy ndeshjeve radhazi të fituara pas gjuajtjeve të penalltive. Shqetësim për skuadrën e Dalic është gjendja e disa futbollistëve sidomos ajo e Vrsaljkos, ndërkohë që Subasic duket se e ka kaluar problemin që iu shfaq në sfidën me Rusinë dhe pritet të aktivizohet në sfidën ndaj Anglisë.

Strinic e Vida pritet të jenë në krahë të mbrojtjes me Lovren e Çorlukën në qendër. Rakitic e Brozovic janë përpara mbrojtjes ndërsa Rebic e Perisic do të veprojnë në krahë të mesfushës, ndërsa Modric do të mbështesë Mandzukic.

Anglia luan gjysmëfinalen e tretë të një Kupe bote në historinë e saj. Për Southgate nuk pritet te ketë dyshime. Pickford do jetë mes shtyllave. Mbrojtja do të përbëhet nga Trippier Stones dhe Maguire, ndërsa mesfusha do të shohë të impenjuar Walker e Young në krahë e Lingard e Dele Alli që janë më në qendër, ndërsa Sterling do të jetë një mbështetje e uraganit Kane. Anglia me këtë skuadër ëndërron fitoren e titullit të dytë botëror pas atij të vitit 1966.

Top Channel