Pavarësisht përplasjes mbi shpenzimet e mbrojtjes, që ka dominuar mbi samitin e NATO-s në Bruksel ende pa filluar ai, shefat e shteteve dhe të qeverive të NATO-s do të ftojnë në takimin e tyre të nivelit të lartë Maqedoninë, për t’u anëtarësuar në aleancë.

Kjo bëhet e mundur nga kompromisi i arritur në qershor, për përplasjen e hershme me Greqinë për emrin e Maqedonisë.

Në këtë mënyrë ky vend ballkanik me emrin e ardhshëm “Republika e Maqedonisë së Veriut” mund të bëhet për një ose dy vjet anëtari i 30-të e NATO-s. Por para kësaj duhet të formalizohet marrëveshja me Greqinë. Parlamenti i Shkupit tashmë ka votuar në mbështetje të propozimit. Por ende nuk është mbajtur referendumi për ndryshimin e kushtetutës së Maqedonisë. Ai pritet të zhvillohet në shtator ose në tetor.

Vetëm pas kësaj do të japë përfundimisht dritë të gjelbër edhe parlamenti i Greqisë. Për shkak të mosmarrëveshjes për emrin, Greqia pati bllokuar jo vetëm anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, por edhe në Bashkimin Evropian. Frika e Greqisë ishte se fqinji me emrin e vendit Maqedoni mund të ngrinte pretendime territoriale.

Në NATO janë anëtarësuar që prej fundit të Luftës së Ftohtë 13 shtete. Shumica e këtyre shteteve kanë qenë më parë në sferën e ndikimit të ish-Bashkimit Sovjetik. Pas rënies së Perdes së Hekurt Moska kërkoi të bashkëpunonte me NATO-n, por zgjerimi në lindje i Aleancës i rëndoi shumë raportet dypalëshe.

Vendi i fundit që u anëtarësua në NATO ishte në qershor 2017 Mali i Zi. Para tij, më 2009 anëtarë të NATO-s u bënë Shqipëria dhe Maqedonia. Në vitin 2004 NATO-ja pranoi së bashku si anëtarë të saj Bullgarinë, Estoninë, Letoninë, Lituaninë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Slloveninë. Çekia, Polonia dhe Hungaria qenë shtetet e para nga ish-blloku lindor që u anëtarësuan më 1999 në NATO.

Top Channel