Shqipëria e fillimviteve ’80 ka qenë dramatike, e përvuajtur, e izoluar, me frikëra dhe pa fe. Kështu e përcakton në fotografitë e tij dokumentuese, fotoreporteri francez Michel Setboun.

Një pjesë e arkivit të tij të pasur të fotove janë të qasshme për publikun në COD, në ekspozitën “Fundi Fillimi”, me foto të Shqipërisë së dekadës ’81-’91.

“Nëse mund të krahasohet, Shqipëria ishte si Koreja e Veriut sot. Si reporter doja të shkoja në vende të ndaluara”, thotë Michel Setboun.

Kjo është periudha e ndryshimeve të mëdha në vend, që nga izolimi e deri te ndarja më të shkuarën, rrëzimi i diktaturës, lejimi i fesë, etj..

“Përpara se të vija në Shqipëri lexova një libër të Kadaresë. Mund ta krahasoja pak me librin e George Orëell të vitit 1984”, tha Michel Setboun.

Një moment, që Setboun e ka të rrënjosur thellë në kujtimet e tij, është pagëzimi i parë i atyre viteve, pas një kohe të gjatë ndalimi.

“Kjo është një foto e rikthimit të fesë, është një pagëzim. Por jo në një kishë, sepse kisha ishte pallat sporti. Prandaj çfarë bënë? Hapën një varrezë dhe prifti organizoi pagëzimin”, tha Michel Setboun.

“Ne po flasim për foto, të cilat janë artistikisht shumë të realizuara, por natyrisht të para nëpërmjet një këndi dramatik nga vet fotografi”, u shpreh Genti Gjikola, kurator.

Kjo ekspozitë dhe rikthimi i fotografit në Tiranë ka nxitur idenë e një projekti mbi gjurmimin e personazheve protagonistë në këto foto.

Top Channel