Naço: KLD, llumi i sistemit të drejtësisë. Nuk votojmë emërimin e studentëve, prokurorë

09/07/2018 11:49

Ish ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, aktualisht deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim, doli sot në një konferencë për shtyp, ku foli në lidhje me emërimet e studentëve, prokurorë.

Ai tha se ky ligj i hap udhë emërimeve nepotike nga ana e Kryeprokurores së Përgjithshme të përkohshme, të cilat më vonë do të shfrytëzohen për vota, për mandat të plotë.

“Lëvizja Socialiste për Integrim nuk mund të votojë këtë ligj, që i hap udhë emërimeve nepotike në sistemin e drejtësisë. Nuk mund të emërohen studentët, prokurorë nga ana e kryeprokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku, pasi më vonë ata do të përdoren për vota, por edhe për ndere e favore”, deklaroi Naço.

Ish Ministri i Drejtësisë hodhi akuza mjaft të rënda edhe për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, institucion të cilin e quajti “llumin e sistemit të drejtësisë shqiptare”.

“Këshilli i Lartë i Drejtësisë është llumi i sistemit të drejtësisë shqiptare. Si ish ministër kam dërguar 48 raste për të paktën 24 gjyqtarë që duheshin shkarkuar, por ky KLD më ka mbështetur në vetëm 4-5 raste. E njëjta gjë po i ndodh edhe aktualisht ministres Etilda Gjoni”, tregoi deputeti i LSI-së, nasip Naço.

Top Channel