Dyshimet për përdorim dopingu nga futbollistët rusë bëhen gjithmonë e më të pranishme. Ditët e fundit, mediet gjermane kanë theksuar se lojtarët e kombëtares ruse kanë përdorur substanca të jashtme gjatë Botërorit.

Sipas tyre, lojtarët rusë kanë përdorur herë pas here amoniak, një substancë që duhet të jetë e ndaluar, pasi ndikon në paraqitjen sportive. Kjo gjë është zbuluar nga një gazetë e përjavshme e Mynihut, sipas së cilës në ndeshjen kundër Spanjës, një nga zëvendësuesit e Cerceshovit ka thithur amoniak nga një copë pambuku.

Ndonëse amoniaku nuk është një substancë e pranishme në listën e substancave të ndaluara nga Agjencia ndërkombëtare e Antidopingut (WADA), ai stimulon frymëmarrjen dhe përmirëson qarkullimin e oksigjenit në gjak.

Ndërkohë, e përditshmja “Bild” ishte e kujdesshme dhe vëzhgoi me vëmendje sjelljen e futbollistëve rusë gjatë ndeshjes me Kroacinë. Kjo e fundit kishte publikuar disa foto të marra nga televizioni “ARD”, ku disa prej lojtarëve rusë, në pushimin e ndeshjes shfaqeshin duke fërkuar hundët, duke bërë që të ngrihen shumë pikëpyetje mbi ta.

Top Channel